TIRANË - Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ka nxjerrë rezultatin e analizave të produkteve shqiptare të bllokuara në pikën kufitare me Maqedoninë. 

Aridan Xinxo ka shpjeguar se rezultatet e analizave të bëra nga ISUV për produktet e bllokuar rezultojnë pa ndotje apo mbetje pesticidesh.  Mbështetur mbi këto analiza Xinxo sqaron se të gjitha produktet shqiptare që janë eksportuar nga vendi ynë kanë qenë vazhdimisht pjesë e analizave. Ndërsa në rastin konkret drejtori Xinxo i referohet 9 mostrave të marra nga domatet, specat dhe kastravecët. 

“Këto rezultate janë pozitive, pra nuk kanë mbetje perimet tona, janë analiza të kryera dhe të lidhura me ngjarjet e bllokimit të produkteve tona në kufirin me Maqedoninë. Sigurisht që ishte e çuditshme kjo për ne për faktin se produktet, perimet e ndryshme Shqiptare janë eksportuar vazhdimisht, kanë qenë vazhdimisht pjesë e analizave tona. Pra në vazhdimësi Instituti nuk ka pasur rezultate pozitive për sa i përket mbetjeve pesticide. Kjo ishte përsëri e çuditshme për ne megjithatë u rianalizua mbështetur në mostrat e sjella dhe rezultatet janë përsëri negative për mbetje pesticide. I referohem deri tani 9 mostrave të mara, janë analizuar domate, speca dhe kastravecë”, - tha Xinxo.

Për situatën e krijuar në Qafë Thanë ku qindra ton të prodhimeve shqiptare të cilat prej ditësh qëndrojnë nëpër kamionë është një çështje tregtare që nuk lidhet me cilësinë e prodhimit dhe se pala maqedonase nuk është treguar korrekte nga ana e saj. 

“Besoj është një problem tregtar, nisem dhe nga fakti që dhe praktika e ndjekur nga pala Maqedonase nuk është korrekte. Produkti duhej të futej, ata do të zbatonin planin e tyre për të marrë mostra dhe sigurisht ka një mekanizëm gjurmushmërie dhe kur të dilnin rezultatet po të ishin si të thuash me mbetje ato tërhiqeshin nga tregu apo asgjësoheshin nga magazinat ku qëndronin”, - u shpreh Ardian Xinxo drejtori i ISUV.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)