Pesë arrestime dhe 28 kilogramë kokainë është bilanci i një operacioni droge në Latina të Italisë. Mes të arrestuarve, është edhe një shqiptar.
Operacioni bëri të mundur zbulimin e një rafinerie të vërtetë kokaine në një vilë. Aksioni nisi në një banesë në rrugën Pennacchi, ku gjatë një kontrolli u gjetën 18 pako që përmbanin gjithsej rreth 18,2 kilogramë kokainë, shuma prej 8 810 eurosh në para të gatshme, një makinë për numërimin e parave, dy orë luksoze, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, gjashtë telefona inteligjentë, një laptop, fletë të shkruara me dorë që përmbanin llogaritë e aktivitetit të paligjshëm, një pistoletë me ajër të kompresuar, një shkop teleskopik dhe një elektroshok.
Kontrollet e mëvonshme dhe të hollësishme në hapësirat e jashtme të pronës bënë të mundur zbulimin, të fshehur mes bimësisë së dendur, të rafinerisë së kokainës. Brenda saj, karabinierët gjetën një laborator për përpunimin dhe paketimin e drogës, të pajisur me peshore, sita, furra me mikrovalë, makina për paketim me vakuum dhe presa të përdorura për krijimin e pakove individuale.
Në laborator u gjetën gjithashtu dy kova plastike që përmbanin përkatësisht 4,8 kilogramë dhe 4 kilogramë kokainë në fazën e rafinimit, një sasi e madhe substancash për përzierje, 27 thasë me pelet nga 15 kilogramë secili, me shumë gjasa të mbushur me lëndë narkotike dhe në proces përpunimi, disa enë që përmbanin tretës dhe sita të përdorura për nxjerrjen kimike të substancës nga peleti, si dhe mbetje nga përpunimet e kryera më parë.
Paratë, sendet dhe droga e paketuar u sekuestruan menjëherë, ndërsa e gjithë zona e rafinerisë u izolua dhe iu nënshtrua kontrolleve teknike të hollësishme nga personeli i specializuar i karabinierëve të RIS-it të Romës, për të përcaktuar mënyrën e saktë të nxjerrjes së lëndës narkotike dhe për të llogaritur sasinë e substancës që ishte ende në fazën e përpunimit.
Veç shqiptarit, u arrestuan dy italianë, një holandez dhe një kolumbian.







Komente
Komento