ITALI - 457 kilogramë marijuanë është sasia e lëndës narkotike e  sekuestruar në portin e Triestes (Itali), e cila vinte nga Shqipëria.

Mediat italiane shkruajnë se lënda narkotike ishte e ndarë në 90 çanta dhe transportohej në një kamion frigorifer, i cili rezultonte bosh por më tej u zbulua nga policia se kishte një bazë të dytë të fshehur ku edhe mbahej marijuana.

Forcat financiere të Komandës së Triestes në bashkëpunim me personelin e doganave mundën që të evidentojnë prezencën e drogës në kamion. Në fakt, në sajë të përdorimit të një skaneri me rreze X, Guardia di financa bëri të mundur që të zbulonte ekzistencën e një fundi të dyfishtë në kamion, vend ku ishte fshehur e gjithë sasia e lëndës narkotike.

Nëqoftëse marijuana do të hidhej në tregun e narkotikeve, atëherë vlera e fituar prej shitjes së saj do të ishte mbi 4 milionë euro. Sipas hetimeve parakrake droga e ardhur nga Shqipëria kishte si qëllim tregtimin në qytete të mëdha evropiane.

Mediat italiane ende nuk bëjnë të ditur identitetin e personave të përfshirë në këtë trafik, dhe as arrestimin e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)