ITALI - Të paguash pafund në një lokal nate, duke bërë kavalierin, nuk bie në sy vetëm për mirë. Kjo iu ka ndodhur disa shqiptarëve në Venecia, ndërsa një 20-vjeçar me inicialet T.G. u arrestua, pasi në shtëpi iu gjet mbi gjysëm kilogrami kokainë e pastër.

Agjencia e lajmeve ANSA, shkruan se shqiptari është arrestuar nga karabinierët pasi ishte pikasur se bashkë me disa shokë të tij shpenzonte para pa fund në një lokal nate duke qerasur edhe njerëz që nuk i njihte.
 
Policia e provincës Portogruaro ka kontrolluar shqiptarët dhe 20-vjeçarit i ka gjetur në xhep 1600 euro. Dyshimet i kanë shtyrë policët që të bëjnë një kontroll në banesat e tyre dhe të riut nga Shqipëria i kanë gjetur 611 gramë kokainë të pastër.

(v.gj/shqiptarja.com)