ITALI - Policia italiane mundi të identifikojë shqiptarët të cilët pasditen e së dielës u bënë objektiv i atentatit me armë në zonën e San Severos në provincën e Foggias në Itali. Mediat italiane raportojnë se shqitari që mbeti i vrarë është 42 vjeçari Amir Ballo ndërsa i plagosuri është identifikuar si Orges Fisniku i moshës 31 vjeç.

EKZEKUTIMI
Ngjarja, sipas mediave italiane ndodhi rreth orës 17:30 të së dielës ( 23 dhjetor)  kur dy shqiptarë që udhëtonin në një Audi në rrugën Mario Carli u qëlluan me breshëri plumbash. Dy shqiptarët ishin në një automjet tip Audi A3 në periferinë e San Severos në momentin kur një makinë tjetër apo një motor, i është afruar dhe ka qëlluar me pistoletë brenda makinës. Ballo ndërroi jetë në makinë, ndërsa Fisniku u transportua menjëherë në spitalin Masselli Mascia në San Severo. Gjatë orëve të natës për shkak të gjendjes së rëndë, i plagosuri u dërgua në qendrën San Giovanni Rotondo për mjekim më të specializuar. Banorët e zonës njoftuan policinë për krimin.

HETIMI

Mediat italiane shkruajnë se nuk përjashtohet mundësia që objektivi i vërtetë i sulmit të ketë qenë pikërisht Fisniku i cili rezulton i skeduar nga policia. Pavarësisht se nuk ka të dhëna për autorët, mediat italiane dyshojnë se ata janë gjithashtu shqiptarë dhe se shkak i konfliktit janë larja e hesapeve brenda bandave.
Policia ka nisur hetimet për të kapur autorët, ndërsa po merr edhe dëshmitë e të afërmve dhe miqtë të viktimave. 

Lajmi fillimisht u publikua me 21:46 te 23 dhjetorit 2012 dhe u perditesua me 24 dhjetor 2012 ora 11:55

(r.d./sg/shqiptarja.com)