ITALI- Një emigrant shqiptar në Itali, ka gjetur vdekjen gjatë një aksidenti në vendin tij të punës, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, rreth orës 11.00 në Tassarolo, në Santambrogio, të Italisë.

45-vjeçari, Novruz Ruçi, lindur në Durrës, por rezident në Acqui Terme, ishte punonjës i “Boetti Srl”, pjesë e kompanisë “Moentau Roero” (CN), që aktualisht po kryente punime për kompaninë “ENEL”.

Sipas njoftimeve paraprake, 45-vjeçari i cili po punonte me kabllot elektrike në 380V, ka gjetur vdekjen si pasojë e rënies në kontakt me rrymën nga prekja e një kabulli elektrik. Gjatë aksidentit Ruçi ka qenë duke punuar në lartësinë 6-7 metra.

Pavarësisht përpjekjeve të punonjësve të tjerë për t’i ardhur në ndihmë, 45-vjeçari nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra edhe gjatë rrëzimit. Në vendngjarje, mbërritën menjëherë edhe forcat e policisë të Novi-t, për të hetuar ngjarjen.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)