MILANO- Dy shqiptarë, u ekzekutuan pak pas mesnatës së të enjtes në Abbiategrasso, provinca e Milanos. Krimi mendohet se ndodhi 15 minuta pas mesnatës dhe viktimat, sipas mediave italiane janë, Ndue Bruka, 51 vjeç dhe Alban Medha, 27 vjeç, përkatësisht daja dhe nipi i tij,

Dy viktimat po udhëtonin me biçikletë përgjatë rrugës  Mazzini që lidh periferinë me qendrën e Abbiategrassos, kur disa persona, ende të paidentifikuar i janë afruar dhe i kanë qëlluar me armë.  Agjencia e lajmeve ANSA informon se viktimat janë ekzekutuar me plumba pistolete dhe pushkësh nga një grup personash.

Ndërkohë që një gazetë tjetër italiane thotë se viktimat janë qëlluar 7 herë,me pistoletë dhe pushkë nga të paktën 2 vrasës. Dajë e nip kanë marrë plagë nga barku deri tek koka. Policia u njoftua për vrasjen rreth orës 00: 15 të ditës së sotme, 16 nëntor. Në vendgjarje kanë mbërritur dhe ambulancat por nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë për viktimat pasi ato kanë vdekur në vend.

Një grup eskpertësh hetimorë kanë nisur hetimet për vrasjen e Ndue Brukës dhe Alban Medhas, të cilët sipas policisë kanë pasur precedentë të vogla penale.
(sg/shqiptarja.com)