ITALI - Pallati presidencial italian ka publikuar në faqen e tij zyrtare transkriptin e procesverbalit të dëshmisë së dhënë para 3 ditësh nga presidenti Giorgio Napolitano mbi dyshimet për një marrëveshje të supozuar midis mafias dhe shtetit, që i dha fund trazirave në vitet ’90 në Itali.

Në dëshminë e tij prej 86 faqesh lidhur me sulmet e verës së vitit 1993 në Milano dhe Romë, kreu i shtetit u tha gjyqtarëve: “Vlerësimi i përbashkët me autoritetet institucionale në përgjithësi dhe qeverinë në mënyrë të veçantë, ishte se bëhej fjalë për krizë të rëndë të një strategjie të mafias më agresive, flitej veçanërisht për korleonezët, e në fakt për ato atentate që më pas goditën ndërtesat me vlerë të veçantë fetare, artistike, dhe kështu u procedua në bazë të një logjike që shfaqej unike dhe imediate me qëllim për t’i vënë përpara autoritetet publike për shkak të një kërkese për masa lehtësuese për dënime me burgim të mafias, i ashtuquajtur dekret 41A, e cila u bë ligj pas masakrës në Via D’Amelio në vitin 1992.”

Atëherë prokurori e pyet: Ju keni supozuar se bëhej fjalë për një matricë unitare ose në lloj shantazhi të mafias dhe Napolitano përgjigjet: “Kërcënim dhe deri në presion me qëllim destabilizimin e të gjithë sistemit.” 

Më tej presidenti ka shtuar: “Unë jam i bindur se tragjedia në Via D’Amelio përfaqësonte një hap të madh e vendimtar për punën e vështirë të konvertimit të ligjit të 8 qershorit 1992”, u ka thënë Napolitano prokurorëve pasi u pyet nëse ka patur një debat politik mbi bisedën nëse ky dekret iu është paraqitur më herët mafiozëve. Napolitano më pas ka shtuar: “Nuk mendoj se askush në një situatë kaq dramatike mund të linte që dekreti të rrëzohej në një afat prej 60 ditësh për ta rinovuar më pas. Kishim bindjen se duhej patjetër t’i jepnim këtë sinjal kundërshtarit, armiqve mafiozë.” A kishte rrezik për atentat ndaj drejtuesve të shtetit? “Unë u paralajmërova!”. Kjo është komunikata e rrezikut të atentateve të mundshme ndaj Giovani Spadolini, asokohe president i senatit dhe vetë Napolitanos, që sipas tij i erdhi nga vetë kreu i policisë dhe ai shton se ‘nuk kishte dyshime nëse ai e bënte personalisht apo në emër të ministrit të Brendshëm, Nicola Mancino.

Kreu i shtetit në dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve tha: “Nuk mbaj mend të më jetë komunikuar një sqarim shtesë nga ana e ministrit të brendshëm, por megjithatë ai sigurisht që e dinte ose më saktë mund ta kishte autorizuar vetë shefin e policisë, Parisi për të biseduar me mua.”

Në procesin gjyqësor shtet-mafia, ministri Mancini është akuzuar për dëshmi të rreme. Dëshmia e kreut të shtetit italian ka shënuar një gjyq historik ku shteti akuzohet për biseda sekrete me mafian siciliane në vitet ’90, ndërkohë që më herët presidenti 89-vjeçar ka mohuar të ketë dijeni për një ndërmjetësim të tillë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)