Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane në Ankona, pasi akuzohen për trafik kokaine. Sipas mediave në Itali, dy shqiptarët e arrestuar janë me inicialet I.T 43 vjeç dhe J.M 37 vjeç. Policia i sekuestroi 8 kg kokainë me vlerë tregu deri në 1 milion euro.
Operacioni për arrestimin e tyre nisi pas dyshimeve të një automjeti tip Seat Altea XL,me targa polake që qarkullonte në rrugët e komunës së Senigallas. Makina u bllokua në një shesh përgjatë rrugës Arcevian, ku shoferit shqiptar iu bashkua një punëtor me të njëjtën kombësi.
Kërkimet e imtësishme të kryera në automjet dhe më pas, në shtëpinë e punëtorit kanë lejuar policinë të gjejë 8 kilogramë kokainë (7 pako prej 1.150 kg secila) të fshehura brenda një fundi të dyfishtë të bërë nën sediljet e pasme, nën bagazhin e makinës.
Vendi i fshehjes së drogës u hap në mënyrë elektronike nga një pajisje elektrike e ndërtuar ‘ad hoc’ dhe që aksesohej me telekomandim.
Së bashku me drogën, u gjetën 5,000 euro, plus 1.300 euro të tjera që shoferi i mbante në xhep. Gjithashtu edhe 3 telefona celularë dhe një navigator u gjetën në pjesën e poshtme të dyfishtë.
Dy shqiptarët iu dorëzuan autoriteteve të drejtësisë në shtetin italian.