Itali- Policia italiane njoftoi sot (16 tetor) se ka kryer një operacion antidrogë në Torino, duke prangosur një 45-vjeçar shqiptar, që po trafikonte një ngarkesë prej 7 kg kokainë të pastër, me vlerë tregu mbi 300 mijë euro.
I dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua, është arrestuar sapo ka dalë nga shtëpia e tij. Gjatë kontrollit personal, bazuar edhe në informacione me inteligjencë policore, efektivët gjetën 340 gramë kokainë dhe dy çelësa.
Njëri prej tyre hapi banesën e tij, ku u gjetën edhe 6.7 kilogramë të tjera kokainë dhe mjete paketimi droge. Përveç lëndës narkotike u sekuestruan edhe 4200 euro cash, që mendohet se janë të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Dyshohet se shqiptari ëhstë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal dhe jo thjesht një korrier apo shpërndarës, pasi sasia e kapur është e konsiderueshme.
Pjesa më e madhe e lëndës narkotike u gjet në tavanin e rremë të një dollapi të dhomës së gjumit, shkruan “Torinoggi”. Ishin 6 blloqe kokaine, me peshë mbi 1 kg secili dhe dy qese të tjera me 320 gramë kokainë dhe materiale të ndryshme të dobishme për paketimin e lëndës.