ROME- Kryeministri italian Enrico Letta, do të japë dorëheqjen ditën e premte datë 14 shkurt. Kjo është ajo çka është deklaruar nga vetë ai, pas votimit të bërë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike pasditen e të enjtes. Përfaqësuesit e kësaj partie, aprovuan me 136 vota pro, 16 kundër dhe 2 abstenim dokumentin e paraqitur nga sekretari dhe kryebashkiaku i qytetit të Firences, Matteo Renzi, në të cilin kërkohej krijimi i një qeverie të re.
 
Gjatë mbledhjes së kryesisë Matteo Renzi, falënderoi kryeministrin aktual të Italisë Enrico Letta, por u shpreh se Italia ka nevojë për ndryshim. Gjatë hapjes së mbledhjes së kryesisë së PD-së, Renzi, tha se “Fillon të rritesh vetëm kur nuk bën më gjërat që të pëlqejnë. Ka ardhur momenti që të themi se çfarë propozimi duam t`i bëjmë vendit”.
 
Matteo Renzi është shprehur gjithashtu se nuk ka ndrojtje të thotë se është ambicioz.
 
Gjatë fjalimit të tij, sekretari i PD-së theksoi se Mbledhja e ditës së sotme nuk ishte një proces ndaj qeverisë, por për të kuptuar se jemi të gatshëm të hapim një faqe të re, për ne dhe për Italinë. Gjatë këtij votimi kryeministri italian Letta, nuk ishte i pranishëm dhe e ka pritur vendimin në “Pallazzo Chigi”, në Pallatin Presidencial, në mënyrë që anëtarët e kësaj partie të ndiheshin të lirë për të thënë fjalën e tyre.
 
Enrico Letta u vu në krye të qeverisë italiane në prill të vitit 2013-të dhe siç u theksua edhe në Mbledhjen e sotme të kryesisë së PD-së nga disa anëtarë të kësaj partie, Letta u vu në krye të një qeverie që lindi gjatë një gjendje emergjente që po kalonte Italia dhe për të përballuar një gjendje emergjence.
 
Ndërsa kryebashkiaku i qytetit të Firences u kthye në liderin e Partisë Demokratike në muajin dhjetor të vitit 2013-të. Edhe pse i ri në moshë dhe pa shumë eksperiencë në fushën e politikës, Renzi u kthye në një politikan shumë të pëlqyer nga italianët.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)