Ajo ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot, të enjten 15 janar, u bë zbulimi tragjik: trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banuese në Trento, u gjet 40 kilometra larg shtëpisë, përgjatë lumit Adige. Trupi u identifikua nga familjarët, të cilët deri në momentin e fundit kishin shpresuar për një fund tjetër. Floresha Prengu, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy vajzave të mitura, ishte parë për herë të fundit në Trento më 22 tetor. Më pas, çdo gjurmë e saj ishte humbur.
Apeli i familjarëve drejtuar forcave të rendit
Familjarët iu drejtuan menjëherë si forcave të rendit, ashtu edhe qytetarëve, duke kërkuar që të kontaktohej numri 112 në rast se dikush e shihte. Në ditët pasuese u organizua një operacion i gjerë kërkimi në kryeqendrën e provincës, me përfshirjen e skuadrave fluviale, zjarrfikësve vullnetarë përgjatë lumit Adige dhe një helikopteri për kontrolle nga ajri, por pa rezultate konkrete. Kërkimet vijuan edhe jashtë territorit të Trentinos. Të gjitha prefekturat italiane ishin njoftuar për zhdukjen. Lajmi u pasqyrua edhe nga mediat shqiptare.
Komente









