ROMË - Një grevë mbarëkombëtare 24-orëshe, e shoqëruar edhe me protesta, e ka paralizuar transportin publik në Romë, si dhe ka shkaktuar shqetësime për udhëtarët. Kjo grevë vjen si pasojë e faktit që qeveria italiane po diskuton së fundmi për projekt-buxhetin 2014, ku përfshihen më shumë shkurtime të shpenzimeve qeveritare.

Po ashtu, në këtë projekt-buxhet përfshihet edhe një ngrirje e vazhdueshme e pagave të sektorit publik, derisa Italia po lufton për të tejkaluar recesionin dyvjeçar që ka shtyrë papunësinë në nivele rekorde.

Greva u organizua nga sindikatat italiane USB dhe Cobas, si në Romë, ashtu edhe nëpër qytete të tjera të mëdha italiane. Organizatorët thanë se shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve po i shkakton dëme rimëkëmbjes ekonomike dhe se ngarkesat tatimore ndaj punëtoreve do të çojnë drejt një dëmi afatgjatë për punëtorët italianë dhe familjet e tyre. Si pasojë e protestës, përveç bllokimit të trenave dhe autobusëve, edhe fluturimet janë anuluar në aeroportin kryesor të Romës. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)