CHIETI (Itali) – Policia e Chieti-t, në rajonin italian të Abruzzo-s, ka arrestuar mëngjesin e sotëm një qytetar shqiptar pasi i ka gjetur 10,5 kg heroinë. Sipas njoftimeve të medias lokale bëhet fjalë për Sajmon Mora, 34 vjeç, i cili është akuzuar për mbajtje dhe shitje lëndësh narkotike.
 
Mora, i cili sipas të njëjtave burime është i pastrehë, mëngjesin e sotëm ndodhej në makinën e tij i ndaluar në një vendpushimi kur u kontrollua nga karabinierët.
Nervozizmi që shfaqi 34-vjeçari shqiptar ngriti dyshimet e karabinierëve të cilët më pas vendosën të kontrollonin edhe automjetin, duke gjetur kështu një çantë ku ndodhej heroina e ndarë në 18 pjesë.
 
I riu shqiptar, mbi të cilin ekzistonte edhe një masë përjashtimi nga Italia, është dërguar në burg dhe pritet të dalë para gjykatësit ditët e ardhshme, ndërsa karabinierët po hetojnë mbi prejardhjen dhe destinacionin e heroinës.

(im/shqiptarja.com)