Një operacion i gjerë policor në veri të Italisë ka çuar në goditjen e një bande grabitësish shqiptarë, të akuzuar për vjedhje të rënda dhe përdorim armësh. Tre persona, të moshës 37, 38 dhe 40 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët e Kompanisë Bassano del Grappa. 

Bastisjet u zhvilluan në zonat Corsico, Buccinasco dhe Trezzano sul Naviglio, në provincën e Milanos. Sipas hetimeve, të tre dyshohet se kanë kryer disa grabitje në zonën e Vicenzës në fund të qershorit 2025.

Natën mes 25 dhe 26 qershorit, një depo me shumicë në Isola Vicentina u grabit pasi autorët thyen një derë të pasme dhe neutralizuan sistemin e alarmit. Nga biznesi u morën mallra të ndryshme, përfshirë shishe vere dhe shampanjë të shtrenjta, pajisje kompjuterike dhe mbi 15 mijë euro cash. Dëmi i përllogaritur arrin rreth 25 mijë euro.

Po atë natë u tentua një tjetër grabitje në një kompani trajtimesh galvanike, por sistemi i alarmit pengoi hyrjen. Ndërsa mes 26 dhe 27 qershorit, një biznes në Villaverla u grabit, ku u vodhën çeqe, instrumente pagese dhe 10,600 euro në para të gatshme.

Tre të dyshuarit lëviznin kryesisht natën në rajone të ndryshme të Italisë Veriore, përfshirë Toskanën, Emilia-Romanjën dhe Marken. Ata përdornin makina me fuqi të lartë, të regjistruara në emër të personave të tretë dhe me targa të klonuara, për të shmangur identifikimin.

Sipas mediave italiane, gjatë kontrolleve, në një garazh në Trezzano sul Naviglio që shërbente si bazë logjistike, u sekuestruan 53 mijë euro cash, mbi 2 mijë dollarë, 5 orë luksoze, 11 çeqe udhëtari me vlerë 940 dollarë, bizhuteri ari dhe argjendi, 23.5 kilogramë skrap argjendi, dy targa të klonuara, 63 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pistoletë 9×21, e raportuar e vjedhur në shtator 2024 në Arezzo.