Prokuroria Publike e Romës dhe Karabinierët e Stacionit të Ottavisë së Romës arrestuan dy shqiptarë dje (10 maj), njëri prej të cilëve ishte i njohur tashmë për forcat e rendit, me akuzën e posedimit me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike në Itali.
Operacioni filloi kur karabinierët ndaluan për kontroll një makinë me qira të drejtuar nga një shqiptar në Via Ipogeo degli Ottavi. Sjellja dhe nervozizmi i tepërt i të dyshuarit i shtynë karabinierët të hetonin më tej.
Gjatë kontrolleve në makinë u gjetën të tre pako që përmbanin 11 doza kokaine, si dhe afërsisht 400 euro.
Hetimi u shtri edhe në një shtëpi në zonën Casal del Marmo, në pronësi të të arrestuarit dhe të banuar nga një bashkatdhetar 21-vjeçar.
Shërbimet e policisë gjetën 270 gramë kokainë, disa të ndara në doza dhe disa të paketuara në vakum, 40,120 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm, tre ditarë kontabiliteti që regjistronin transaksionet e trafikimit të drogës, si dhe materiale paketimi, duke përfshirë një makinë paketimi në vakum dhe dy peshore precize, informojnë mediat italiane.
Kontrolli u zgjerua edhe në automjete të tjera të parkuara në zonë dhe në pronësi të dy të rinjve: brenda njërës prej makinave u gjetën sërish doza droge.
Policia sekuestroi dy makina, droga dhe paratë e dyshuara si të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Komente











