ROME-   Këshilli i Ministrave i Italisë njoftoi sot në mesditë  se ka pranuar dorëheqjen e parevokueshme të ministrave: Angelino Alfano, Nunzia De Girolamo, Beatrice Lorenzin, Maurizio Lupi dhe Quagliariello.

Dorëheqjet kanë shkaktuar tensione brenda partisë së Berluskonit ndërkohë që kreu i shtetit, Giorgio Napolitano, pas një takimi me kryeministrin Enrico Letta pasditen e djeshme u shpreh se nëse nuk do të gjendet një rrugëzgjidhje për krizën politike në Itali, atëherë do të jetë i detyruar të shpërbëjë Parlamentin.
 
enriko letta
(Ne foto: Enrico Letta dhe ministri Alfano)

Momente tensioni paraqiten në politikën italiane, një ditë pas dorëheqjes së ministrave të Partisë, Populli i Lirisë.
 
Nga ana e tij Silvio Berlusconi akuzon qeverinë, duke e cilësuar si “qeveria e taksave”, duke theksuar se do të jetë e paevitueshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Por ndërkohë, brenda PDL-së mbretëron kaosi.
 
Situata duhet të qartësohet sa më shpejt të jetë e mundur, por situata në brendësi të Popullit të Lirisë është shumë e paqartë.
 
Giorgio Napolitani dhe Enrico Letta, shpresojnë që brenda kësaj partie, një pjesë e mirë e pjesëtarëve, të dalë nga linja që po ndjek Berluskoni. Presidenti i Republikës dhe kreu i qeverisë, pas ekzaminimit të gjendjes politike në vend, kanë arritur në konkluzion se imazhi i kësaj politike, është shumë i turbullt dhe nuk është e mundur të bëhen parashikime të mundshme, se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
 
Gjatë takimit të tyre, ata janë të vendosur të lënë hapësirat e duhura, që debatet brenda Partisë së Popullit të Lirisë, të zhvillohen plotësisht, e më pas të fillojnë procedurat për verifikimin e votëbesimit. Ky vendim, merret, në pritje të ditës së mërkurë, për të përballuar parlamentin.
 
Kryeministri Enrico Letta, i ka idetë e qarta për rrugën që do të ndjekë. Ai është shprehur se do të kërkojë votëbesimin e parlamentit dhe të Senatit dhe këtë gjë nuk e kërkon për të qeverisur tri ditë më shumë, por për të vijuar me programin e ndërmarrë. Letta do të jetë në senat të mërkurën në orën 09:30.
 
Ai është shprehur gjithashtu, se nuk do të mbajë qeverinë me forcë, por gjithashtu e ka shumë të qartë, që fati i qeverisë, varet nga PDL-ja, nga dorëheqja e ministrave nën diktatin e Silvio Berluskonit.

Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)