ITALI - Lëvizja e “5 Yjeve” në parlamentin italian ka zgjedhur si kandidate për presidente Milena Gabanelli një grua dhe gazetare.

E njohur si një figurë e fortë në luftën kundër pushtetit politik dhe shpenzimeve të larta të deputetëve gazetarja duket se do jetë kandidatura e fortë për zgjedhjen e presidentit në itali.

Vetë Gabanelli është ndjerë jashtëzakonisht e nderuar me kandidaturën dhe e ka quajtur me modesti një mbivlerësim që i bëhët.

Ajo ka shtuar se do shprehet në lidhje me këtë propozim vetëm kur të bëhet zyrtarizmi i kandidaturës së saj.

Prej ditësh politika italiane është përfshirë në zgjedhjen e presidentit të ri duke qenë se Presidentit Napolitano i mbaron në pak ditë mandati. Vendi fqinj ndodhet në një situatë e cila konsiderohet si "Stuhia Perfekte".

Partitë në Itali ende nuk kanë zgjedhur një qeveri dhe kjo mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohëshme, por çdo gjë mbetet e bllokuar pasi sipas kushtetuës presidenti nuk mund të marrë vendime në tre muajt e fundit të mandatit.

Kjo do të thotë se nuk mund të dekretojë zgjedhje të reja. Zgjedhja e Presidentit të ri do i hapte rrugë zgjedhjeve të reja nëse politika nuk gjen konsensus në formimin e një qeverie të re.

Emrat e lakuar deri tani për presidentin e ri përfshijnë një seri figurash ku më të fundit janë dhe ish-Presidenti i Komisonit Europian Romano Prodi dhe komiku fitues i çmimit nobel Dario Fo.
Sipas Grillos Milena Gabanelli është një emër, që simbolizon një sinjal të fortë ndryshimi pasi vjen nga shoqëria civile dhe nuk ka një moshë të madhe.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)