ITALI- Një anije me 500 emigrantë në bord, mëngjesin e të enjtes, ka marrë flakë dhe më pas është përmbysur, pranë brigjeve të Lampeduzës në “Isola dei Conigli” në Itali.
 
Sipas informacioneve të para, bilanci i kësaj tragjedie, ka arritur në 110 të mbytur, mes të cilëve edhe dy fëmijë dhe një grua shtatzënë në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe 155 të mbijetuar, mes të cilëve gjashtë gra dhe dy fëmijë.

Por dyshohet se numri i të vdekurve është 200 vetë, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë. Punonjësit e shpëtimit tregojnë se në fund të detit ka ende trupa. Një grua, e cila dukej si e vdekur, në fakt ishte gjallë dhe është transportuar në spital.

lampedusa
 
Alarmi është dhënë nga ekuipazhi i dy anijeve të peshkimit, që ishin në zonë. Shkak i kësaj tragjedie ka qenë një zjarr në anije, pasi klandestinët i kanë vënë flakën një batanijeje, për t'u vënë re. Zjarri ka përfshirë anijen dhe ka shkaktuar përmbysjen e saj. Deri më tani, rreth 140 emigrantë janë shpëtuar.

Sipas të mbijetuarve, disa peshkarexha që kaluan afër nuk i ndihmuan. Kryebashkiakja e Lampeduzës, Giusi Nicoli u shpreh se "fajin e ka ligji, pasi pexhkarexhat patën frikë të ndihmonin se mos dënoheshin për favorizim të klandestinëve". Por gjë që është hedhur poshtë nga ministri i Brendshëm, Alfano, i cili ka theksuar se "ne kemi zemër të madhe dhe e kemi treguar këtë. Anijet thjesht nuk janë parë dhe këtë e tregon fakti se ato i kanë vënë zjarrin batanijes për t'u pikasur".

Nicoli ka shtuar se “kjo që po ndodh është një horror, nuk e di akoma çfarë po presim, ky është një horror i vazhdueshëm, tani mjaft më”.
 
Sipas saj, ende nuk kanë informacione të detajuara, rreth kësaj tragjedie të rradhës dhe nëse do të jetë e vërtetë që numri i atyre që ishin në barkë, është 500 persona dhe janë shpëtuar 155 prej tyre, atëherë është një ngjarje shumë e tmerrshme”.

lampedusa

Ndërkohë, presidenti Napolitano dhe ministri i Brendshëm, Alfano kanë kërkuar ndihmë nga BE për të përballuar situatën, ndërsa dita e nesërme në gjithë Italinë është shpallur ditë zie. Napolitano ka kërkuar heqjen e ligjit Bossi-Fini rreth klandestinëve.

''Besoj se verifikimet do të bëhen shpejt dhe se cilat norma të ligjit janë që krijojnë pengesa ndaj një politike të mikpritjes, e denjë për vendin tonë dhe që i përgjigjet parimeve themelore të njerëzimit dhe solidaritetit”, ka thënë presidenti Napolitano për Radio Vatikanin.

Rreth kësaj tragjedie, ka reaguar edhe kryeministri italian, Enrico Letta. Ai e ka quajtur "tragjedi gjigante" dhe ka falenderuar kryebashkiaken dhe banorët e Lampeduzës. 

Gjithashtu edhe Papa Françesku, ka reaguar në faqen e tij në rrejtin social Twitter, në lidhje me këtë tragjedi, duke e cilësuar si "të turpshme". Reagime ka edhe nga institucionet e Bashkimit Europian, të cilët shprehin keqardhjen e tyre për sa ka ndodhur në brigjet e Lampeduzës dhe do të mobilizohen për të dhënë ndihmën e tyre.

papa
 
Përveç tragjedisë të mëngjesit të së enjtes, në “Isola dei Conigli” në Lampedusa, një tjetër mjet lundrimi ka mbërritur në brigjet italiane me 463 ekstrakomunitarë në bord.

Refugjatët, janë transferuar në Qendrën e mikpritjes, qendër e cila ka mbi 700 vetë.

varka e mbytur ne itali
varka e mbytur ne itali 1
lampedusa

(Foto nga tragjedia pranë brigjeve të Lampeduzës në Itali)

Lajm në përditësim

Redaksia Online
(e.b/e.s/mag/shqiptarja.com)