Itali- Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia, nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Operacioni u zhvillua gjatë natës pas disa ditësh monitorimi të lëvizjeve të autorëve.

Ata u ndoqën deri në një zonë periferike të qytetit, ku u panë duke marrë një sasi të dyshuar lëndë narkotike, veprim që çoi menjëherë në ndërhyrjen e policisë.

Gjatë kontrollit në automjet, autoritetet gjetën rreth 50 doza kokaine të gatshme për shitje, shkruan Ansa.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e tyre, ku u sekuestruan sasi të tjera lëndë narkotike, pajisje për peshimin dhe paketimin e saj, si dhe 4 mijë euro para të gatshme, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Në total, policia raportoi sekuestrimin e rreth 200 gramë kokainë.

Me urdhër të Prokurorisë Publike në Ankona, shqiptarët  u dërguan në burgun e Montacuto, ku do të qëndrojnë për llogari të drejtësisë italiane.