Itali, 79 viktima dhe 2.263 të infektuar nga koronavirusi. Mosha mesatare e të prekurve nga epidemia mbi 65 vjeç. Qeveria Conte, terapi intensive ekonomike (VIDEO)

Në Itali në 24 orët e fundit numri i të infektuarve të rinj krahasuar me një ditë më parë është zvogëluar dhe është rritur numri i të shëruarve. Në vetëm një ditë ka patur 66 pacientë që kanë rezultuar negativ nga testet e koronavirusit për një total prej më shumë se 160 personash të shëruar, kurse numri i viktimave që nga fillimi i epidemisë është 52.

Ndërsa ritmi i rritjes progresive të të infektuarve është ulur krahasuar me një ditë më parë, për virologët është ende herët për ti kënduar fitores pasi të dhënat janë luhatëse dhe akoma nuk ka një trend të qartë pasi shqetësues mbetet numri i të sëmurëve në reanimacion.

Sipas autoriteteve të shëndetit në Itali, vetëm pas një jave mund të ketë një kurbë më të qartë në grafikun e epidemisë pasi vala e infeksioneve nisi më 21 shkurt në Codogno dhe Vo dhe koha e inkubacionit është mesatarisht 14 ditë dhe rrjedhimisht infeksionet mund të mos jenë shfaqur ende të gjitha.

Ndërkohë qeveria e kryeministrit Conte ka përgatitur një terapi intensive ekonomike. Në dekretin e ri që do të vijë së shpejti parshikohet ulje taksash dhe rritje e kredive për një total prej 3.6 miliardë euro. Masat do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të stimulojnë sektorët më të prekur: turizmin, logjistikën dhe transportin.

Ndihma dhe masat për 'zonat e kuqe'

Sipas dekretit qeveritar, në ‘zonat e kuqe’ pezullohen procedurat e falimentimit, pezullohen deri më 30 prill pagesa e faturave të energjisë elektrike, ujit dhe gazit, pagesa e kësteve të hipotekës, masat e vlerësimit, detyrimet tatimore dhe taksimi, rritet në 750 milion euro fondi i garancisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të prekura drejtpërdrejt nga stopimi i prodhimit.

Po sipas dekretit qeveritar, shtyhet shlyerja e kësteve të faturave tatimore, pezullohet deri më 30 prill pagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe mirëqenies dhe primet për sigurimin e detyrueshëm. Vlefshmëria e kartave shëndetësore që skadojnë më 30 qershor gjithashtu do të zgjatet.

Masat ad hoc për sektorin e turizmit, fillojnë me "pezullimin e pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe mbajtjen e taksave në burim për të gjithë sektorin italian të hotelerisë".

Qeveria gjithashtu ka prezantuar forma të subvencioneve për 17.600 punëtorë në zonat e kuqe.

Për punonjësit publikë, koha e mbylljes së zyrave prej emergjencës së koronavirusit apo dhe koka në karantinë karantinë e personave të prekur apo dyshuar të infektuar nuk do të llogariten si mungesa në punë.

Për kompanitë e turizmit, në të gjithë Italinë, është duke u përgatitur një paketë masash, e cila gjithashtu mund të jetë në dekretet e ardhshme, duke filluar nga rimbursimet e agjensive turistike për anulimet e prenotimeve hoteliere dhe si dhe fluturimet ajrore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:54
Koronavirusi, 79 viktima, 2.263 të infektuar dhe 160 të shëruar në Itali. OBSH: Epidemia po bëhet më e rëndë se gripi. Virologët: Duhet të bëhemi pak 'jo socialë'

Epidemia e koronavirusit po bëhet gjithnjë e më komplekse. ‘Covid-19’ nuk është ‘Sars’, nuk është as ‘Mers’ dhe nuk ka të njëjtin ndikim te njëriu. Është një virus unik me karakteristika unike 'dhe për këtë arsye kriza "nuk mund të zgjidhet vetëm nga organizimi i autoriteteve të kujdesit shëndetësor dhe as nga një vend i vetëm, por kërkon bashkëpunim dhe koordinim global" – kështu tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit gjatë konferencës për shtyp mbi epideminë e koronavirusit ‘Covid-19’, duke kujtuar se organizata ka nisur protokolle të detajuar mbi ‘ato që duhet të bëhen’.

'Në krahasim me gripin normal, shpjegoi numri një i OBSH-së, koronavirusi është më serioz’, sepse globalisht rreth 3.4% e të infektuarve kanë vdekur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë sezonale nga gripi është më e ulët me 1%', duke shtuar, 'ndërsa kemi vaksina ndaj gripit, aktualisht nuk ka vaksina dhe trajtime specifike për ‘Covid-19’, edhe pse ende më shumë se njëzet vaksina po zhvillohen globalisht'.

Në Itali sot janë regjistruar 27 vdekje të tjera duke e rritur totalin e viktimave në 79, të shëruar 160 kurse numri i të infektuarve ka shkuar në 2.263 

Drejtori i departamentit të sëmundjeve infektive të Istitutit të Shëndetit, Giovanni Rezza ka hipotezuar mundësinë e shtrirjes së zonave së kuqe në disa bashki dhe zona të tjera të vendit, duke përjashtuar Milanon.

Rezza tha se ‘Ekziston nevoja për të ruajtur masat e marra deri më tani dhe ka të ngjarë të ketë nevojë për zgjerimin e zonave të kuqe bazuar në incidencën e koronavirusit. Unë besoj- tha Giovanni Rezza,  se rritja e numrit të zonave të kuqe është nevojë e rimodelimit dhe riformulimit në bazë të asaj se sa janë prekur nga ionfeksioni disa zona të tjera.

"Nevoja të ndryshojmë sjelljen tonë"

"Masat e distancimit shoqëror duhet të vlerësohen - vazhdoi Rezza – popullsia duhet të mësojë të sillet në një mënyrë tjetër, të jetë pak "jociale": mos përqafo, mos puth, mos tako duarty, duhet të gjejmë burime alternative të përshëndetjes në gjithë Italinë. Mënyra e vetme për të shmangur krizën në sistemin shëndetësor është të frenohet shpejtësia e përhapjes së virusit”.

"Ne po luftojmë për të mos patur më ditë të vështira. Në hapësirën e dy ose tre ditëve do të kemi një ide më të qartë dhe do të shohim nëse infeksionet do të fillojnë të ngadalësohen apo edhe të ulen"-  Kështu u shpreh guvernatori i Rajonit të Lombardisë Attilio Fontana, duke mos fshehur vështirësitë me të cilat po përballen autoritetet dhe punonjësit e shëndetit, të cilët kanë nevojë “për bashkëpunimin e të gjithëve”. Për këtë arsye, autoritetet i kanë apeluar të moshuarve në rajon që të qëndrojnë sa më shumë që të jetë e mundur në shtëpi në dy javët e ardhshme dhe të minimizojnë kontaktet sociale me të afërmit dhe miqtë.

Sipas të dhënave të disponueshme deri më tani dhe mendimit të ekspertëve, është segmenti i qytetarëve mbi 65 vjeç i cili është më i dobëti në këtë emergjencë shëndetësore dhe që rrezikon të ketë pasoja më kritike nëse nuk parandalohet nga të gjithë.

Të dhënat e azhurnuara të dhëna nga rajoni i Lombardisë vërtetojnë apelin e lëshuar për kujdes: 53 përqind e 1,254 rasteve pozitive në Lombardi janë në grupmoshën 65 vjeç e lart.

Ora 17:26
Koronavirusi/Lëvizja e papritur e Bankës Qendrore Amerikane: Ul normat e interesit me 0.5%

Banka Qendrore e SHBA, (Fed) njoftoi një ulje me gjysmë pike të normave të interesit si përgjigje ndaj emergjencës së epidemisë prej koronavirusit. Kështu, kostoja e parave bie në 1-1.25%. Kjo është hera e parë që nga kriza financiare e vitit 2008, që ‘Fed’ ka vendosur të ulë normat e interesit jashtë atyre të planifikuara.

"Bazat e ekonomisë botërore mbeten të qëndrueshme. Në çdo rast, koronavirusi paraqet rreziqe për aktivitetin ekonomik", shpjegon Fed.

"Në dritën e këtyre rreziqeve dhe në mbështetje të objektivave të punësimit dhe stabilitetit të çmimeve, Fed ka vendosi të ulë normat e interesit me gjysmë pike, duke i sjellë ato midis 1% dhe 1.25% dhe ‘Fed’ po monitoron nga afër zhvillimet dhe implikimet që mund të shfaqen në perspektivën ekonomike dhe do të përdorë mjetet e saj si dhe do të veprojë si duhet për të mbështetur ekonominë", - thuhet në njoftimin e Banka Qendrore Amerikane.

Jerome Powell, presidenti i Rezervës Federale, i sulmuar shpesh nga Trump për mosdhënien e mbështetjes financiare për ekonominë siç do të donte manjati, shpjegoi në një konferencë për shtyp se FOMC, krahu operativ i Bankës Qendrore Amerikane, vlerësoi se rreziqet për skenarin ekonomik amerikan në thelb kanë ndryshuar këto javë. Ndikimi i epidemisë në ekonomi mbetet i pasigurt, por përhapja e sëmundjes me një ritëm të përshpejtuar ka çuar në veprime të menjëhershme nga banka. Ndërsa tha se bazat ekonomike të SHBA janë të qëndrueshme, Powell pranoi se pasojat e kësaj situate do të ndihen edhe për disa kohë.

Analistët tani janë të bindur se kjo lëvizje e Bankës Qendrore Amerikane do të vinte në lëvizje tregjet, pas shenjave të luhatjes në javët e kaluara. Shumë guvernatorë, përfshirë Lagarde nga Banka Qendrore Europiane, kanë thënë qartë se janë të gatshëm të ndërhyjnë për të stopuar reagimin negativ ekonomik prej epidemisë, e cila ka goditur shumë tregjet financiare këto ditë.

Vetëm dje, Banka e Investimeve ‘Goldman Sachs’ azhornoi parashikimin e saj duke bërë zbritje të normës kumulative të ‘Fed’ për 100 pikë bazë nga muaji mars e deri në muajin qershor, një manovër kjo që mund të koordinohet, në shkallë të ndryshme, me ndërhyrjet nga bankat e tjera qendrore.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk duket i lumtur me vendimin e ‘Fed’, pasi ai ka kërkuar nga Bankat Qendrore të "bëj më shumë" në përgjigje të masave urgjente ndaj koronavirusit.

"Eshtë koha që ‘Fed’ të luajë një rol udhëheqës," duke lehtësuar më shumë politikat monetare dhe duke ulur normat e interesit më shumë”- shkruante në Twitter presidenti amerikan.

Ora 16:27
KoronavirusI/Papa Françesku dhe misteri i testit me tampon

"Papa Françesku i ‘goditur’ nga një ftohje i duhej t’i nënshtrohej një testi tamponi si një masë paraprake, test i cili rezultoi negativ nga infeksioni i koronavirusit.- Kështu shkruante sot gazeta italiane, ‘Il Messaggero’  duke përshkruar një Vatikan tërësisht bosh apo me fare pak turistë.

Për momentin, Selia e Shenjtë nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht lajmin, ndërsa ditët e fundit disa burime kishin folur për faktin se Papa Françesku ishte prekur nga një laringit jo serioz. Për rreth një javë, shumë nga daljet publike të Papës janë anuluar.

Papa pësoi një ftohje të lehtë gjatë audiencës së përgjithshme të mërkurën e kaluar, kur Sheshi i Shën Pjetrit u ‘mbyt’ nga një erë e ftohtë. Si masë paraprake ai kishte vendosur të anulonte disa nga seancat dëgjimore publike.

Ndërkohë, lajmi për testin e tamponit të Papës po qarkullon në faqet e mediave në të gjithë botën si BBC, Bloomberg dhe Reuters .

Rasti i parë i karantinës së detyruar u njoftua dje në Vatikan pasi një punonjës ra në kontakt me një pacient të infektuar (një prift francez aktualisht i shtruar në spital në Paris), gjë e cila e detyroi Vatikanin të marrë masa të menjëhershme.

Izolimi i punonjësit do të zgjasë të paktën një javë, zyra e tij do të dezinfektohet dhe do të mblidhen informacione për të rindërtuar lëvizjet që ai ka bërë.

Ora 15:14
Kina regjistroi sot nivelin më të ulët të epidemisë nga koronavirusi. Rreth 5000 të infektuar në Korenë e Jugut, 6 viktima në SHBA

Kina ka regjistruar sot vetëm 125 raste të reja të infektuar nga koronavirusi, duke arritur nivelin më të ulët në 6 javët e fundit, si dhe është raportuar për 31 viktima, të gjitha të përqendruara në epiqendrën e provincës të epidemisë Hubei.

Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit, numri i përgjithshëm i vdekjeve është 2.943 kurse totali i infeksioneve80.1151. Rastet e infeksionit kanë ndjekur një trend në rënie ditët e fundit, megjithëse 11 rastet e raportuara sot jashtë Hubei paraqesin nivelin më të lartë të 5 ditëve të fundit.

Në të kundërt, Koreja e Jugut raportoi 600 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 4,812, me një rritje alarmante në Daegu, qyteti ku ndodhet Kisha e Jezusit, epiqendër e shpërthimit të epidemisë.

Sipas të dhënave të Qendrës Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve numri i viktimave është rritur në 28.

Ndërkohë, ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetit ka mbërritur në Iran për të ndihmuar vendin të përballojë epideminë e koronavirusit. Deri më tani në Iran janë regjistruar 1.500 raste të infektuar dhe 66 viktima.

Në SH.B.A. ka patur mbi 100 raste të infektuar ndërsa numri i atyre që kanë humbur jetën nga virusi është rritur në gjashtë.

Ora 14:46
Koronavirusi/Guvernatori i Lombardisë: Besojmë se pas tre ditësh numri i të infektuarve do të ulet. Testohen pozitiv dy gjykatës në Milano

"Ne po luftojmë për të mos patur më ditë të vështira. Në hapësirën e dy ose tre ditëve do të kemi një ide më të qartë dhe do të shohim nëse infeksionet do të fillojnë të ngadalësohen apo edhe të ulen"-  Kështu u shpreh guvernatori i Rajonit të Lombardisë Attilio Fontana, duke mos fshehur vështirësitë me të cilat po përballen autoritetet dhe punonjësit e shëndetit, të cilët kanë nevojë “për bashkëpunimin e të gjithëve”. Për këtë arsye, autoritetet i kanë apeluar të moshuarve në rajon që të qëndrojnë sa më shumë që të jetë e mundur në shtëpi në dy javët e ardhshme dhe të minimizojnë kontaktet sociale me të afërmit dhe miqtë.

Sipas të dhënave të disponueshme deri më tani dhe mendimit të ekspertëve, është segmenti i qytetarëve mbi 65 vjeç i cili është më i dobëti në këtë emergjencë shëndetësore dhe që rrezikon të ketë pasoja më kritike nëse nuk parandalohet nga të gjithë.

Të dhënat e azhurnuara të dhëna nga rajoni i Lombardisë vërtetojnë apelin e lëshuar për kujdes: 53 përqind e 1,254 rasteve pozitive në Lombardi janë në grupmoshën 65 vjeç e lart.

Sot në Milano janë infektuar nga koronavirusi edhe dy magjistratë të gjykatës të cilët rezultuan pozitive në testin e Koronavirusit. Ata janë vendosur në izolim, por nuk janë në gjendje të rëndë. Në izolim janë vendosur edhe rreth tridhjetë personave të tjerë,  15 gjyqtarë dhe 15 nga stafi administrativ, të dyshuar se kanë patur kontakte me dy gjykatësit e infektuar.

Ora 10:37
Koronavirusi/Lista e 'The Guardian': Ndalohen puthjet, përqafimet dhe shtrëngimet e duarve. Si po ndryshon përshëndetja në botë (VIDEO)

Nuk ka më shtrëngime duarsh, puthje dhe përqafime.

Duket se frika nga përhapja e epidemisë nga koronavirusi po transformon zakonet e vjetra të përshëndetjes dhe mirësie.

Përshëndetja e mohuar për Angela Merkel nga Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, gjatë një ngjarje publike në Berlin, në raste të tjera do të ishte një shenjë e një përçarje të madhe politike, por jo. Në vendin ku tani numri i të infektuarve është rritur në 150, duket se ngadalë në të gjithë po bien dakord të refuzojnë takimet duke përdorur fizikun.

Gazeta britanike ‘The Guardian’ ka përpiluar një listë vendeve ku kanë hyrë në fuqi zakonet e reja të përshëndetjes.

Kinë

Në Pekin, ‘tabelat e kuqe’ u këshillojnë njerëzve të mos shtrëngojnë duart  me njëri tjetrin.

Francë

Gazetat janë plot këshilla se si të zëvendësohet shtrëngimi i dorës dhe i puthjes në faqe dhe zëvendësimi i tyre me shikimin sy më sy.

Australi

Ministri i Shëndetësisë Brad Hazzard ka këshilluar njerëzit të përshëndeten thjesht duke përkëdhelur njëri tjetrin në supe.

Spanjë

Vetëm një muaj nga Pashka, Spanja do duhet t'i jap fund traditës së vjetër të puthjes së statujave të Virgjëreshës Mari.

Iran

Në Iran njerëzit kanë filluar të përshëndeten me njëri tjetrin me duart në xhepa

Emiratet e Bashkuara Arabe

Qeveritë kanë këshilluar qytetarët të ndalojnë përshëndetjen "hundë në hundë" me njëri-tjetrin me "hundë në hundë", dhe ta bëjnë këtë vetëm duke "bërë gjeste"

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen