ROMË, 25 nëntor /ATSH-DPA/ - Dhoma e Ulët e parlamentit italian miratoi sot reformat në tregun e punës të drejtuara nga qeveria e kryeministrit Matteo Renzi dhe të kundërshtuara fort nga sindikatat.
Këto reforma u miratuan me 316 vota pro, gjashtë kundër dhe pesë abstenime në dhomën me 630 deputetë.
Shumë deputetë të majtë dhe të djathtë u larguan nga salla përpara votimit, përfshirë edhe më shumë se 30 deputetë të Partisë Demokratike të qendrës së majtë, që ishin kritikë ndaj këtyre reformave.
Kjo reformë lehtëson marrjen apo largimin nga puna të punonjësve, përmirëson funksionimin e zyrave të punësimit, por ndërkohë kritikët thonë se për kryerjen e tyre nuk ka burime financiare për plotësimin e premtimeve.
Pritet që kjo reformë të kalojë tani në Dhomën e Lartë të parlamentit, në Senat. Votimi nuk pritet të bëhet brenda dy javëve të ardhshme.
Ndërkohë, dy nga sindikatat më të mëdha të vendit, CGIL dhe UIL, kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme më 12 dhjetor./ a.jor.