Itali - Një përleshje e dhunshme mes dy grupeve, shqiptarëve dhe maqedonasve, ka ndodhur në Peruxhia të Italisë, duke përfunduar me disa të plagosur, 11 të arrestuar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.

Shkak i sherrit duket se ka qenë shkrepja e një fotoje me celular nga një prej të rinjve, që ka sjellë reagimin e grupit tjetër dhe më pas përleshjen masive, ku mes të implikuarve janë edhe disa rumunë.

Policia italiane informoi se 5 prej të dyshuarve janë persona të skeduar, me precedentë të shumtë penalë, kurse një i mitur 17-vjeçar gjithashtu është në arrati. Dy prej autorëve goditën në arrati e sipër me makinë një prej kundërshtarëve, që mori fraktura të rënda.

Ngjarja ndodhi në zonën e San Sisto mbrëmjen e së dielës, në ambientet e një bari. Të gjithë të arrestuarit, të moshës midis 19 dhe 31 vjeç, me origjinë shqiptare, rumune dhe maqedonase, u mbajtën në burgun e Capanne.

“ Dy të rinj arritën të shpëtonin shpejt me një makinë, por ndërsa iknin, ata goditën një nga sulmuesit. Burri besohet të jetë një burrë 27-vjeçar maqedonas, i cili më vonë u shtrua në spitalin e Perugias me fraktura të shumëfishta në gjymtyrët e poshtme dhe një prognozë 30-ditore”, informoi media italiane.

Karabinierët gjetën dhe sekuestruan disa shkopinj, njëri 65 centimetra i gjatë, si dhe karrige dhe tavolina të përdorura në përleshje.

Një 23 vjeçar shqiptar u përpoq të fshihte çelësin e makinës brenda një vazoje lulesh, një akt që nuk u mbeti pa u vënë re forcave të rendit, të cilat gjetën gjithashtu një dozë 0.6 gramë kokainë. Të gjithë akuzohen për sulm të rëndë.