Bolonja- Dy shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët e Bolonjës në Itali, si anëtarë të një grupi të shpërndarjes së lëndëve narkotike nëpër qytet.
Operacioni u krye në fillimjavë, por konfirmimi erdhi vetëm dje (29 Gusht). Të arrestuarit janë 39 dhe 43 vjeç, kurse emrat e tyre nuk u publikuan.
Policët pikasën në fillim lëvizjet e dyshimta të 39-vjeçarit që hyri në banesë dhe më tej shoku i tij që doli dhe la derën hapur, teksa bënte edhe mbikëqyrësin e zonës.
Ndërhyrja në aksion dhe kontrolli i ambienteve zbuluan 23 gramë kokainë dhe 720 euro cash, përveç materialit të përdorur për paketimin e drogës.
Dy shqiptarët u arrestuan dhe u dërguan në dhomat e sigurisë me urdhër të Prokurorisë, në pritje të seancës së vlefshmërisë.
Edhe në Urbino është arrestuar një tjetër shqiptar 35-vjeçar për akuzën e vjedhjes së një banese, kurse miku i tij arriti të arratisej në momentin e fundit, teksa më herët kishte 'manipuluar' efektivët që e ndaluan në rrugë dhe e pyetën, por pa konstatuar shkelje.
Policia tha se mori sinjalizim nga pronari i banesës se autorët kishin hyrë duke vjedhur çelësat e makinës, një sasi parash dhe sende personale me vlerë.