ROMË - Çështja e ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni ka sjellë probleme të tjera gjatë mbledhjes së bordit të Senatit Italian, që u zhvillua në orën 15 të ditës së martë.

Gjatë kësaj mbledhje do të kalohej në votim për heqjen e Berluskonit nga senator, por kjo mbledhje zgjati vetëm pak minuta, pasi u kërkua mbyllja e saj, nga ana e relatorit dhe senatorit Domenico Bruno i Partisë Populli i Lirisë.

Partia Populli i Lirisë, ka kundërshtuar të rejat dhe motivimet e aktvendimit mbi të drejtat televizive, dhënë nga Gjykata e Apelit të Milanos. Senati Italian, gjithashtu nuk ka pranuar kërkesën e bërë nga ana e Lëvizjes 5 Yjet, pasi këta të fundit propozuan të votojnë heqjen e Berluskonit në datën 5 nëntor.

Nga ana e tij ish kryeministri Berluskoni, i bën thirrje qeverisë Letta, që të rishikojë ligjin `Severino`, ligj i cili hyri në fuqi më 5 janar të vitit 2013-të.
Ai është shprehur se heqja e tij nga senator, është një njollë për demokracinë, që do të mbetet vetëm në librat e historisë.

Nuk mund të përjashtohet një lider në këtë mënyrë, vetëm sepse nuk arrin të mundet në votime. Gjithashtu, gjatë një interviste Berluskoni është shprehur se duhet të respektohet neni 25 i Kushtetutës Italiane dhe neni 7, i Konventës Europiane për të drejtat e njeriut.

Redaksia Online
(e.b./mag/shqiptarja.com)