KALABRI- Në Gioia Tauro, në Rajonin e Kalabrisë në Itali, prindër, fëmijë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur për të protestuar për t’i thënë “JO” mbërritjes së armëve kimike siriane në portin e qytetit të tyre, një port i rëndësishëm tregtar kalabrez.

Ndërkohë që Italia merr falenderimet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Danimarka dhe Norvegjia, kryetari i Bashkisë në Gioia Tauro kërcënon se do të mbyllë Portin dhe janë duke përgatitur një protestë tjetër që do të zhvillohet më 1 shkurt.
 
Lajmi se armët kimike do të mbërrinin në Itali dhe se Porti i Gioia Tauro-s në Kalabri do të ishte vendi tranzit i transferimit të këtyre armëve nga njëra anije në tjetrën u konfirmua gjatë audicionit të Komisionit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, nga ministrja e Jashtme Emma Bonino, ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve Maurizio Lupi dhe drejtorit të përgjithshëm, i Organizatës për Shkatërrimin e armëve kimike ONAK, Ahmet Uzumcu, i cili ishte i pranishëm për të shpjeguar fazat e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike.

Gjithashtu u tha se ishte zgjedhur porti në Kalabri, pasi konsiderohet si një nga zonat më të sigurta dhe më e thjeshtë për ta pasur situatën nën kontroll, në rast protestash apo manifestimesh.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)