ROMË - Senati Italian aprovon Qeverinë Letta. Qeveria Letta, do të vazhdojë të çojë përpara programin e saj, pas 235 votave pro dhe 70 kundër që Senati i dha kësaj qeverie. Në këtë votim, Silvio Berluskoni, duke bërë një hap pas, i dha votëbesimin Qeverisë Letta, ashtu siç kishte deklaruar mesditën e sotme, gjatë fjalimit të tij në Senat, duke surprizuar të gjithë. 

Pak përpara fillimit të zhvillimeve të Senatit, ai tha: "Do të marrim një vendim të përbashkët, për të mos zhgënjyer popullin". Senati Italian, u mblodh paraditen e të mërkurës, nga ku pritej që kryeministri Enrico Letta të merrte votëbesimin për qeverinë e tij. 
Gjatë fjalimit të tij 40 minutësh, Kryeministri Letta, ishte shprehur se ai kërkon t`i jepej besimi qeverisë së tij, për të çuar përpara programin e saj, për të mirën e vendit.

Ai u shpreh se, stabiliteti i vendit ishte vënë në rrezik dhe me këtë situatë, zgjedhjet e parakohshme, në këtë moment, janë të panevojshme. 

"Gjatë qeverisjes sonë, gjatë këtyre 5 muajve, kemi krijuar shumë lehtësira fiskale për shtetasit italianë, duke bërë që ata të paguajnë më pak taksa", tha Letta.

Letta, duke iu referuar situatës së krijuar, u shpreh se duhet të evitojmë që kjo gjendje e sikletshme politike, të kthehet në konflikt. Gjithashtu, ai u shpreh: Vendi është i rraskapitur nga një politikë zënkash dhe duke qëndruar në pritje të përgjigjeve.

Ai, kishte kërkuar ti jepej besimi për Italinë, për italianet dhe italianët, duke u shprehur gjithashtu që "e kemi si detyrim t`u rikthejmë shpresat fëmijëve tanë".


(Elvana Bilai/ sg/shqiptarja.com)