ROME - Ish kryeministri Silvio Berlusconi, përjashtohet nga parlamenti italian. Me një votim të hapur, në orën 17:45 të ditës së mërkurë, datë 27 nëntor, Senati italian vendosi përjashtimin e Kavalierit nga roli i senatorit, duke mos pranuar kërkesat e paraqitura nga partia e qendrës së djathtë, kundër heqjes së tij.

Gjithashtu edhe Ish-kryeministri, i cili ka dominuar politikën italiane për rreth dy dekada, u kërkoi senatorëve të shtynin votimin për përjashtimin e tij, pasi pretendon se ka prova të reja të cilat e nxjerrin të pafajshëm.
Ndërkohë që në Senat pritej të votohej heqja e tij nga senator, Silvio Berluskoni nuk ishte i pranishëm dhe rreth orës 16:30 ai ka mbajtur një fjalim përpara mbështetësve të tij, ku është shprehur se ai do të ecë përpara edhe nëse nuk do të ishte më parlamentar.

Sipas oraganizatorëve të manifestimit të Forza Italia, të paktën 20 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë tubim, për të mbështetur ish kryeministrin italian. Por mbështetësit e tij, kanë protestuar edhe brenda dhomës së Senatit, ku katër senatoret e Forza Italia-s, janë paraqitur të veshura me të zeza në shenjë proteste, pasi siç është shprehur edhe vetë ish kryeministri italian, largimi i tij do të shënonte `vdekjen e demokracisë`.

Silvio Berluskoni u dënua për evazion fiskal në tetor të vitit 2012-të, pas disa marrëveshjeve të Mediasetit për të blerë të drejtat e filmave italianë.
Por përjashtimi nga Senati do të thotë humbjen e imunitetit dhe mund të çojë në arrestimin e tij edhe për çështje të tjera kriminale. Berluskoni do të vuajë një dënim 1 vjeçar me arrest shtëpie në lidhje me çështjen e evazionit fiskal.

 
Redaksia online
(ac/a.ç/shqiptarja.com)