Senati italian ka miratuar sot reformën e re zgjedhore me 113 vota pro, 71 kundër dhe 2 abstenime, duke i hapur rrugë rikthimit të projektligjit në Dhomën e Deputetëve për votën përfundimtare.
Sipas mediave italiane, reforma parashikon një sistem kryesisht proporcional, duke hequr mekanizmin aktual të përzier mes përfaqësimit proporcional dhe zonave zgjedhore ku deputetët zgjidhen me shumicë votash, një mekanizëm që favorizon opozitën.
Një nga pikat kryesore të ligjit të ri zgjedhor është se koalicioni që arrin të marrë të paktën 42% të votave, do të mund të krijojë shumicën qeverisëse.
Sipas projektligjit, bonusi përkthehet në 70 deputetë dhe 35 senatorë, ndërsa përcaktohet edhe një kufij maksimal prej 220 deputetësh dhe 113 senatorësh, për të përfituar nga mekanizmi.
Një tjetër ndryshim parashikon që koalicionet të deklarojnë përpara zgjedhjeve kandidatin e tyre për postin e kryeministrit.
Qeveria e Giorgia Melonit e argumenton reformën me nevojën për stabilitet politik dhe për të shmangur situatat kur zgjedhjet prodhojnë një parlament pa shumicë të qartë.
Opozita e ka kundërshtuar ashpër reformën, duke e cilësuar në Senat si një “ligj mashtrues” dhe duke protestuar me pankarta gjatë votimit.
Pas ndryshimeve të bëra në Senat, projektligji duhet të rikthehet në Dhomën e Deputetëve, e cila pritet ta shqyrtojë më 28 shtator.
Miratimi përfundimtar i reformës do të përcaktojë rregullat me të cilat italianët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Madje, më 16 korrik, Dhoma e Deputetëve miratoi të gjithë reformën me 217 vota pro, 152 kundër dhe 2 abstenime, duke e dërguar në Senat.
Kujtojmë gjithashtu se në 15 korrik, Dhoma e Deputetëve në Itali rrëzoi amendamentin e paraqitur nga partia e Melonit, për ‘preferencat’ për deputetët, pra që votuesi nuk zgjedh vetëm partinë, por mund të tregojë edhe cilin kandidat të asaj partie dëshiron të dërgojë në Parlament.












Komente
Komento