Përsëri viktima në afërsi të ishullit në jug të Italisë. 19 emigrantë të paligjshëm kanë gjetur vdekjen nga monoksidi i karbonit dhe 600 persona u ndodhën në rrezik mbytjeje në det të hapur si pasojë e një avarieje.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës një anije tregtare greke i ka ardhur në ndihmë një anieje peshkimi në avari me rreth 600 refugjatë në bordin e saj. 

SOS-i mbi avarinë është dhënë rreth 68 milje në jug të Lampeduzës, ku një anije tregtare civilësh pasi e ka marrë sinjalin është nisur direkt për të dhënë ndihmën e parë.

Situata në bord ishte tejet tragjike, ku u gjetën rreth 18 persona të vdekur e të ngjeshur në stivën e anijes si pasojë e intoksikimit nga monoksidi i karbonit dhe tre persona të tjerë u gjetën ende në gjëndje të rëndë. 
Anija greke arriti të japi ndihmën e parë për gati 400-450 persona ndërkohë që 18 të vdekurit dhe pjesa e mbetur e pasagjerëve u lanë ende në bordin e peshkarexhës për arsye sigurie, për tu trasportuar më vonë nga një anije tjetër, drejt Maltës. Ndërkohë tre pasagjerët në gjëndje ende të rëndë u transportuan nga motovedetat e Kapitenerisë së portit për në Lampeduza, ku gjatë operacionit të shpëtimit humbi jetën dhe emigranti i 19-të.

Sinjali për ndihmë u dha nga anija e peshkimit rreth orës 4 të së shtunës ndërkohë ende po punohet nga autoritetet italiane për të siguruar ushqime dhe veshmbathje për të 450 të mbijetuarit që ndodhen në aijen tregtare, tashmë afër gjirit të Lampeduzës.

Sipas UNHCR-së gjëndja është ende më e rëndë, pasi flitet për një miliadë anijesh e barkash që enden në det drejt ishullit italian, gjithashtu në gjendje katastrofike dhe të mbipopulluara nga refugjatë që i largohen luftërave në vendet e tyre. Gjithashtu në shtetin fqinj italian flitet për rreth 3500 persona të shpëtuar nga Marina në vetëm dy ditë në kuadër të operacionit “Mare Nostrum” që ka për qëllim ardhjen në ndihmë në det të anijeve të shumta me refugjatë në detin Mesdhe.