ITALI - I gjithë këshilli i qytetit të Reggio Calabrias në jug të Italisë është shkarkuar nga detyra në përpjekje për të parandaluar kontrollin e kësaj strukture vendore nga mafia.

Lëvizja vjen në një moment kur disa këshilltarë dyshohet të kenë lidhje me organizatën kriminale "Ndrangheta". Zyrtarët thanë se kjo është hera e parë që i gjithë këshilli i qeverisjes lokale shkarkohet nën dyshimin për lidhje me mafien.

Tre komisionerë mësohet se do të drejtojnë qytetin për 18 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme. Vendimin për shkarkimin e 30 këshilltarëve dhe kreun e tyre Demetrio Arena e lajmëroi ministrja e brendshme italiane Annamaria Cancellieri.

Për shkaqe të ngjashme edhe në të kaluarën pjesëtarë të administratës së këtij këshilli janë shkarkuar pas dyshimeve për lidhje me mafien. Kalabria konsiderohet "shtëpia" e "Ndrangheta" e cila sipas ekspertëve është një ndër organizatat më të mëdha kriminale.

Tregtimi i kokainës besohet se është burimi kryesor i pasurisë ashtu sikurse edhe pastrimi i parave.

Komisioni parlamentar anti-mafia në Itali e ka përshkruar "ndraghetan" si organizatën mafioze më të rrezikshme dhe të pasur në vend.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)