BARI - Një shqiptar ka kaluar tre ditë në burgun e Barit në Itali, për shkak të një gabimi në bankën e të dhënave të gjyqësorit dhe policisë italiane. Ali Gockaj 42 vjeç lindur në Vlorë, u nis nga Durrësi drejt Italisë më 16 prill për të festuar Pashkët me disa familjarë të tij në Brindisi, por u arrestua sapo trageti mbëriti në Bari.

Për të ishte lëshuar një dekret dëbimi nga prefekti i Brindisi në vitin 2007 i cili ishte i vlefshëm për 10 vite si dhe një dënim me 10 vite burg nga gjykata shqiptare për trafik droge. 

Të premten e Madhe më 19 prill, shqiptari u paraqit në gjykatën e Barit, ku avokati mbrojtës sqaroi se sipas direktivës europiane të vitit 2008, dekreti konsiderohet i pavlefshëm pasi nuk lejohet më dëbimi nga territori kombëtar për një periudhë më të gjatë se pesë vjet.

Pasi shpallet i pafajshëm për akuzën e parë, Gockaj paraqiet në Pallatin e Drejtësisë së Barit për dënimin me 10 vite burg nga gjykata shqiptare për trafik droge. Avokatët mbrojtës të shqiptarit sqaruan se më 20 mars të vitit 2013 Gjykata e Lartë shqiptare kishte hedhur poshtë vendimin, duke shpallur të pafajshëm Gockaj.

Një burim i Ministrisë së Drejtësisë bëri të ditur se telashet për Ali Gockaj erdhën si pasojë e mospërditësimit të bankës së të dhënave. Shqiptari u la menjherë i lirë pas 3 ditësh burgim dhe falë gjykatësve, të cilët brenda një kohe të shkurtër arritën të gjejnë gabimin dhe të nxjerrin nga burgu 42 vjeçarin nga Vlora.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)