Tetë vjet pas ngjarjes tragjike ku një shqiptar humbi jetën pasi ra në një pus të fshehur, teksa mblidhte manaferra ilegalisht nga kopshti i një italiani, Gjykata e Apelit në Perugia shpalli fajtor dhe dënoi pronarin e tokës për “vrasje nga pakujdesia”.
Gjykata la në fuqi dënimin e shkallës së parë me 6 muaj burgim për italianin e pandehur, që sipas gjyqtarit, “fakti se shqiptari kishte hyrë ilegalisht, nuk e përjashton atë nga përgjegjësia”.
Tragjedia ndodhi më 30 korrik 2018. Shqiptari 77-vjeçar kishte hyrë në një pronë private përmes një porte që ishte e mbyllur me dry, por mjaftueshëm e gjerë për të lejuar hyrjen, për të vjedhur manaferra nga një kopsht që kishte mbetur i paprekur për vite me radhë.
Megjithatë, i fshehur nga pamja midis ferrave ishte një pus, dhe ai ra brenda tij dhe ndërroi jetë. Sipas mediave italiane pusi i vjetër artezian, i hapur me dorë, ishte mbi katër metra i thellë dhe i veshur me gurë.
Komente










