TERAMO- Vrasja e një shqiptari me plumb në kokë dhe plagosja e një tjetri në mes të ditës teksa ata po konsumonin një birrë në një bar, në lokalitetin turistik të Alba Adriatika, (provincë e Teramos në Itali), ka ngjallur reagimin e ashpër të komunitetit atje.

VRASJA
Të shtunën pasdite, (20 tetor) 30 vjeçari i identifikuar nga mediat italiane si Leven Ferra, së bashku me një bashkëatdhetar 23 vjeç I identifikuar me inicialet P.H, ishin ulur para një lokali kur I janë afruar disa persona, mendohet edhe ata shqiptarë. Fillimisht mes tyre ka pasur një sherr me fjalë dhe më pas agresorët kanë qëlluar. Ferra është qëlluar me plumb pistolete në kokë , ndërsa 23 vjeçari është plagosur me thikë në gjoks.

HETIMET
Policia e Teramos ka nisur hetimet për të zbardhur autorët por dhe motivet e vrasjes. Ndërkohë që në një distancë të shkurtër nga vrasja policia mendon se ka gjetur një makinë, Audi Station Wagon me të cilën mund të kenë udhëtuar autorët, ose ishte e viktimës. Gjurmët e gjetura në makinë janë dërguar në laboratorin kriminalistik dhe policia shpreson se mund të ndihmojnë për identifikimin dhe më pas arrestimin e autorëve. Sipas policisë italiane 30 vjeçari mund të jetë qëlluar me plumb në kokë, dhe jo dy siç u deklarua fillimisht në media. Por do të jetë autopsia që do të zhvillohet nesër për të përcaktuar në mënyrë definitive si është vrarë Ferra. Ndërsa shoku i tij është plagosur me thikë në mushkëri. Ky i fundit ka tentuar të largohet nga vendi i krimit por është arritur nga policia e cila më pas e ka dërguar në spital.

Pas verifikimeve është mësuar se 30 vjeçari i cili jetonte në provincën Martinsicuro, me dokumente të rregullta, ishte person me precedentë penalë. Faqja online Abruzzo. Net shkruan se Ferra ishte me precedent penalë për dhunë seksuale dhe krime kundër pronës. Mendohet se vrasja mund të ketë lidhje me drogën ose me prostitucionin.

BANORËT TË TRONDITUR: TE VERIFIKOHEN TE HUAJT

Pikërisht vrasja në mes të ditës, në një bar dhe në një zonë të frekuentuar shumë ka shqetësuar së tepërmi banorët duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e tyre. Dje kreu i bashkisë zhvilloi një mbledhje ndërkohë që për të martën dhe të mërkurën është urdhëruar mbledhje e jashtëzakonshme e këshillit komunal. Gjithashtu në Alba Adriatika do të zhvillohet dhe mbledhja e komitetit të kësaj zone për sigurinë dhe rendin publik. Një lëvizje e re e lindur në Alba Adriatika nëpërmjet një deklarate kërkon përforcimin e masave të kontrollit për cdo person të huaj që kërkon të banojë në këtë zonë. Sipas saj policia nuk ka kryer asnjëherë kontrolle për të parandaluar një krim të tillë. Ata kërkojnë shtimin e masave të sigurisë pasi pa siguri nuk ka progres social apo ekonomik.
(Foto:Viktima e mbuluar me çarçaf)

(sg/shqiptarja.com)