Itali- Një seri plaçkitjesh në kodrat e Torinos ka ngritur peshë qytetarët italianë në zonë, me ankesa drejt policisë, teksa gjatë aksioneve është kapur një nga ‘skifterët’ e grupit.
I arrestuari është një 32-vjeçar shqiptar, teksa bashkëpunëtorët e tij mundën të arratiseshin. Aksioni u krye nga grupi i karabinierëve të Chieri, që e surprizuan të dyshuarin në zonën e ‘Pino Torinese’, i cili në tentativë për t'u arratisur me makinën e tij të madhe, tentoi të godiste edhe një nga efektivët në operacion.
Për pasojë polici mori dëmtime në pjesët e gjymtyrëve dhe i duhet të qëndrojë për 2 javë në spital.
Policia tha se i arrestuari ka qenë së bashku me të paktën 3 persona të tjerë, që mundën të iknin në këmbë dhe të humbisnin gjurmët gjatë ndjekjes nëpër shkurret e zonës.
Në bordin e makinës u gjetën mjete për vjedhje dhe sende të çmuara, sende të vjedhura nga një grabitje e fundit. Kërkimet janë ende në vijim, kontrollet e gjera të Karabinierëve do të vijojnë edhe në ditët në vijim, informon 'Rainews'.
Kjo valë vjedhjesh solli edhe protestën e banorëve para Bashkisë.