ITALI - Policia italiane ka hedhur në internet një video të një atentati të ndodhur në Reggio Calabria të Italisë, në datën 10 Mars 2012. 

Siç mund të shihet edhe në video, 2 persona të hipur në një motorr, i janë afruar një biznesmeni pak centimetra larg dhe kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij për t’a vrarë. Burrat mbanin kaskë në kokë për të mbuluar fytyrën. 

Por çuditërisht asnjë nga plumbat nuk e kapi biznesmenin i cili filloi të vraponte rrugëve të qytetit. Atentatorët qëlluan gjithashtu edhe në drejtim të kolegut të tij i cili ishte ende brenda ndërtesës, para se të largoheshin me shpejtësi.

Pas një hetimi 2 vjeçar, policia arriti të arrestojë të dyshuarit, Antonino Pricoco 40 vjeç dhe Giole Mangiola 29 vjeç, megjithëse 2 biznesmenët nuk pranuan të denonconin apo të flisnin lidhur me çështjen.

Besohet se arsyeja e këtij atentati ishte një borxh prej 3 mijë eurosh i papaguar. 

Reggio Calabria është një nga zonat kryesore ku operon mafia italiane "Ndragheta".

Policia bëri të ditur se arrestimi i dy atentatorëve erdhi pas përgjimeve të telefonatave të tyre si dhe "çimkave" të përdorura. Dy Burrat janë nën arret dhe do të gjykohen për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)