Ajo ishte zhdukur më 22 tetor 2025, pasi ishte parë në qendër të qytetit. Sot, më 15 janar, është gjetur trupi i pa jetë i shqiptares Floresha Prengu, 35 vjeçe, banore e Trentos 40 kilometra larg shtëpisë përgjatë lumit Adige.

Trupi u njoh nga familjarët, të cilët shpresuan për një përfundim tjetër. Floresha Prengu, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy vajzave, ishte parë për herë të fundit në Trento më 22 tetor. Më pas gjurmët e saj u humbën.

Apeli i familjarëve ndaj forcave të rendit

Familjarët iu drejtuan menjëherë forcave të rendit duke kërkuar që të kontaktojnë në 112 në rast se e shihnin atë.

Në ditët menjëherë pas zhdukjes u organizua një kërkim i gjerë në qytet, me përdorimin e skuadrave përgjatë lumit, zjarrfikësve vullnetarë përgjatë lumit Adige dhe helikopterit për verifikime nga ajri, që nuk dhanë rezultate konkrete. Kërkimet vazhduan edhe jashtë kufijve të Trentos. Të gjitha prefekturat italiane u njoftuan për zhdukjen sipas Corriere della Sera.

Lajmi për zhdukjen e 35-vjeçares u pasqyrua edhe në emisionon 'Pa Gjurmë' në Report Tv, ku vëllai i saj Gjergji Likollari, i cili jeton gjithashtu në Itali, tregoi se në bisedat e fundit të shkëmbyera me motrën e tij, ajo i kishte treguar për periudhën e vështirë që po kalon në jetë, por sipas tij nuk i ishte dukur aq serioze.