Itali-Uruguaj është superndeshja e grupit D që do të vendosë se kush skuadër do kalojë më tej në një grup ku Kosta Rika e ka siguruar kualifikimin. Dy fituese të Kupës së Botës përplasen në Natal në një takim për jetë a vdekje.

Trajneri Prandelli në konferencë sqaron se të kaltërit janë të bindur se do të arrijnë një rezultat të mirë dhe do kualifikohen. Katër herë kampionëve të Botës u bën punë edhe një barazim por Prandelli konfirmon se skuadra e tij do futet në fushë për fitore.

Në kampin e amerikano-jugorëve sulmues Suarez thotë se Italia është e lodhur dhe e dobët në mbrojtje dhe sipas tij Uruguaj kalon më tej. Trajneri Tabarez pret ndeshje të veshtirë mbi të gjitha kur skuadra e tij është e detyruar të fitoje por ai ka besim.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi përballet Kosta Rika e kualifikuar me Anglinë e eliminuar. Tre luanët e Hodgson duan të marrin një fitore nderi ndersa Kosta Rika edhe me një barazim e mbyll si e para e grupit.

Në grupin C Kolumbia kryesuese dhe e kualifikuar luan ndaj Japonisë që ka vetëm një pikë dhe mund t’i thotë lamtumirë Kupës së Botës. Bregu i Fildishtë përballet me Greqinë.

Federata e këtij shteti ka dyfishuar premion për kalimin më tej dhe Bregu i Fildishtë është favorite pasi ka tre pikë dhe me një barazim mund të sigurojë një kualifikim historik.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)