ROME- Marjana Marku, gruaja shqiptare e cila u gjet e vdekur, më 6 maj në L’Aquila të Italisë, mund të ketë qenë viktimë e ndonjë aksidenti në rrugë. Sipas hetimeve italiane 30 vjecarja mendohet se është shtypur nga një makinë përgjatë rrugës Cese di Avezzano në L'Aquila, duke hedhur poshtë pistën e një vrasjeje të mundshme.

Trupi i pajetë i Marjana Markut u gjet më 6 maj 2012, dhe media italiane flisnin për dëmtime të mëdha në trupin e viktimës, një dorë dhe këmbën të copëtuar si dhe dëmtime në pjesën e barkut.

Në bazë të analizave të mjekësisë ligjore të kufomës, gruaja e cila punonte si bariste nate, mund të jetë shtypur nga një makinë, drejtuesi i të cilit më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Hetimet drejtohen nga Guarino Savino Sipas hetimeve makina ka qenë me shpejtësi të madhe. Mjekët ligjore thonë se mbi trupin e viktimës nuk janë gjetur plagë të tjera të cilat mund të hipotetizojnë për një mënyrë tjetër vrasjeje. Gjithnjë sipas analizave të trupit është vërtetuar se viktima gjeti vdekjen natën kur u denoncua zhdukja e saj, dhe vetëm një fat tragjik ka bërë që trupi i saj të mos gjendej më parë nga ndonjë kalimtar për gati dy ditë.

Edhe gjurmët e gjetura në rrugë tregojnë se makina ka ecur me shpejtësi dhe është përplasur bordurën e rrugës. Vajza ecte buzë rrugës në një zonë jo të ndricuar kur është përplasur nga makina.
Policia heton pistën se makina me të cilën është kryer aksidenti është ajo që është gjetur e djegur një ditë më pas. Dyshohet se autorët mund të kenë djegur makinën për të humbur gjurmët.
(sg/shqiptarja.com)