ROMË- Një relike fetare, një provëz që mban gjakun e ish-papës polak Gjon Pali II, është vjedhur në një kishë në Italinë Qendrore dhe rreth 50 policë janë duke kontrolluar zonën për ta gjetur.
 
Provëza është vjedhur prej dy ditësh bashkë me një kryq, në kishën e vogël “San Pietro della Ienca”, një zonë malore e Abrucos, rajon ky i Italisë Qendrore ku papa polak, që vdiq në vitin 2005, preferonte të shëtiste dhe të bënte ski, shkruan e përditshmja “La Repubblica”.
 
Qentë të stërvitur të policisë marrin pjesë gjithashtu në këto kërkime dhe prokuroria e Akuilas ka hapur një hetim.
 
Sipas Pasquale Corriere, president i shoqatës kulturore “San Pietro della Ienca” i cituar nga angjecia zyrtare italiane “ANSA”, ekzistojnë vetëm tre provëza, në të gjithë botën, që mbajnë gjakun e papës Gjon Pali II.
 
Një relike e ngjashme që përmbante gjakun e papa Gjon Palit II ishte vjedhur në vitin 2012, por u gjet sërisht vetëm brenda pak orësh.
 
Marrë nga "ATSH"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)