Përhapja e varianteve të reja të koronavirusit në Evropë ka vënë sërish nën presion vendet anëtare të BE-së për rritje të kontrolleve të lëvizjes, me disa vende të BE-së që po mundohen të rikthejnë kontrollet kufitare dhe kufizimet e udhëtimit.

Italia dhe Gjermania bënë të ditur ditën e sotme shtrëngimin e masave për udhëtime në BE ndërsa unioni është goditur nga një valë e tretë vdekjeprurëse e COVID-19.

Italia, do të vendosë në fuqi rregullin për pesë ditë karantinë për të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza do të nënshkruajë, gjatë ditës së sotme një urdhëresë të re që përcakton kufizime të reja për të kufizuar infeksionet e koronavirusit.

Urdhëresa parashikon që udhëtarëve t'u kërkohet të bëjnë një test të koronavirusit para se të largohen nga vendi dhe një test tjetër pas përfundimit të karantinës. Një masë e tillë deri tani kishte qënë në fuqi për vendet jashtë BE.

Gjermania në anën tjetër njoftoi se do të forcojë kontrollet në kufijtë tokësor për 8 deri në 14 ditët e ardhshme.

"Nuk ka rëndësi nga vini, Polonia, Franca ose Danimarka, të gjithë duhet të presin që të kontrollohen," tha Ministri i Brendshëm Horst Seehofer. Vendi i përballur me një shkallë të lartë të infeksioneve, ka zgjatur masat kufizuese të paktën deri në mes të prillit.

Kufizimet e reja të udhëtimit vijnë ndërsa Evropa goditet rëndë nga një valë e tretë e koronavirusit e nxitur nga një valë e variantit britanik më ngjitës. OBSH për Evropën raportoi 1,648,346 raste të reja dhe 23,820 viktima gjatë 7 ditëve të fundit.