Qeveria italiane ka miratuar një dekret me fuqi ligjore që synon rritjen e prodhimit vendas të naftës dhe gazit, si pjesë e strategjisë për të ulur varësinë e vendit nga importet e energjisë.

Kryeministrja Giorgia Meloni tha se Italia duhet të shfrytëzojë burimet që ka brenda territorit të saj, në vend që të mbështetet te furnizimet nga jashtë.

"Nuk ka shumë kuptim ta blejmë këtë energji jashtë, kur mund ta prodhojmë këtu, në Itali", u shpreh Meloni në një mesazh me video, duke sqaruar se ky është qëllimi i masave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Sipas dekretit, qeveria do të emërojë komisionerë që do të ndihmojnë rajonet të përshpejtojnë procedurat për dhënien e lejeve dhe koncesioneve për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe gazit.

"Italia nuk mund të presë me dekada që të zgjidhet një kërkesë për koncesion", deklaroi Meloni.

Qeveria italiane argumenton se rritja e prodhimit vendas do të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë për familjet dhe bizneset, forcimin e sigurisë energjetike dhe zvogëlimin e ndikimit të luhatjeve të çmimeve të energjisë së importuar. Sipas saj, masat pritet të sjellin edhe të ardhura nga koncesionet, vende të reja pune dhe investime në zonat ku do të zhvillohet nxjerrja e hidrokarbureve.

Masat do të përfshijnë si fushat tokësore, mes tyre Val d'Agri, nga ku prodhohet pjesa më e madhe e naftës së Italisë, ashtu edhe fushat detare, përfshirë Argo-Cassiopeia në Kanalin e Siçilisë.

Vendimi ka hasur në kritika nga opozita. Nicola Fratoianni, drejtues i Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS), deklaroi se lobet e naftës dhe gazit kanë "pushtuar Pallatin Chigi", selinë e qeverisë italiane.