Italia jep leksion për zgjedhjet tek
ne, kush mund të imitojë Grillon

Italia jep leksion për zgjedhjet tek<br />ne, kush mund të imitojë Grillon
TIRANE- Rezultatet parapake të zgjedhjeve në Itali tregojnë se vendi nuk mund të qeveriset vetëm nga një forcë politike e qendrës së majtë apo të djathtë. Diferenca e ngushtë mes dy grupimeve të mëdha politike ka sjellë nevojën e një bashkëpunimi përtej tyre, për të krijuar bazën e një qeverisjeje të qëndrueshme. Dhe një ndikim të madh në këto zgjedhje padyshim do të ketë dhe forca e tretë e përfaqësuar nga Pepe Grillo, një aktor komik italian që kundërshton vazhdimisht sistemin, dhe që zgjodhi të bëjë fushatë jo në ekrane por në shesh me publikun. Ndryshe nga Berluskoni i cili jo vetëm ka shfytëzuar ekranet por dhe ato rivale dhe studiot e gazetarëve më të ashpër e kritikë të tij. Një rikthim befasues me 30 % ky i kavalierit për analistët dhe për politikbërësit. Zgjedhje këto që hodhën poshtë në mënyrë kategorike edhe sondazhet paraprake duke qenë spektakolare dhe jashtë çdo parashikimi. Gazetarë dhe analistë shqiptarë komentojnë situatën zgjedhore në Itali, liderët kryesorë rikthimin “surprizë”, të Berluskonit, fenomenin “Grillo”, pamundësinë e Montit për të qënë përcaktues, por dhe ndikimin që do të kenë këto zgjedhje në Shqipëri.

Si e shpjegoni ndryshimin nga realiteti te sondazhet menjëherë pas votimeve në Itali?

Preç Zogaj: Sondazhet në Itali, qoftë ato parazgjedhore, qoftë ato exit-poll, treguan një marzh të madh gabimi. Ishin një dështim spektakolar. Shkaku duhet kërkuar te mungesa e përgjegjesisë dhe paaftësia e kompanive të angazhuara, pse jo të shdërrimi i tyre në biznese dhe istrumente të manipulimit të opinionit publik, siç e kemi parë edhe në Shqipëri me pseudosondazhet e kompanisë “Gani Bobi”. Mendoj se këto zgjedhje në Itali do të shërbejnë për rishikimin në themel të metodoligjisë dhe madje edhe funksioneve të kompanive të sondazheve.

Artan Hoxha:
Rezultati i votimit i rrëzoi sondazhet dhe exit-poll-et.
Kjo tregon se sondazhet e exit-poll, janë instrumente të gabueshëm.

Ilva Tare
: Zgjedhjet në Itali prodhuan shumë lajme nga pikëpamja gazetareske, por mbi të gjitha ngjarje politike. Nga dalja si parti e parë e “Lëvizjes 5 Yje” të Beppe Grillos, një lëvizje që mund të quhet anti partive të mëdha dhe krizës që kanë shkaktuar politikat e mendjeve të vjetra të Italisë e deri tek parashikimet e sondazheve që treguan trendin, por ishin larg realitetit. Ka shumë arsye që duhen analizuar nga ekspertët pse Grillo mendohej që do të merrte rreth 18% dhe në fakt arriti ne 25.5%. Ndërkohë që edhe rikthimi i Berluskonit u shfaq si i mundshëm në sondazhe, por jo kokë më kokë me të majtën e Bersanit. Dalja e rezultateve përfundimtare do të mundësojë analizimin e faktorëve që nuk kanë mundur matjen e saktë të votës së italianëvë në sondazhe, por duhet pasur parasysh edhe sistemi elektoral shumë i komplikuar për Dhomën e Deputetëve dhe Senatin dhe mënyrën si përllogariten votat e partive dhe koalicioneve.

Mero Baze: Mendoj se sondazhet nuk kanë gabuar shumë, por kanë inkurajuar shumë dy surprizat e zgjedhjeve, Grillon dhe Berluskonin. Të gjithë janë suprizuar nga rezultati që u kanë dhënë atyre sondazhet dhe të gjithë me sa duket kanë nxituar ta forcojnë këtë rezultat. Sondazhet kanë qenë një farë fushate për ta.

Henri Çili: Bota e sotme ka hyrë në një fazë të tillë ku siç e thoshte ish kryeminstri i Francës, Michel Rokard jemi në vitin 1930. Analogjia është e thjeshtë jemi një vit pas krizës së madhe së vitit 1929, në këtë kuptim është e padëshifrueshme sjellja dhe humori i njerëzve, interesat dhe ndjeshmëritë e tyre, racionaliteti i shprehur ose i matur përmes sondazheve nuk është më një punë e kohës sonë. Në këtë kuptim nga realiteti tek sondazhet dhe nga sondazhet tek votimi ka një diferencë gjithnjë e më të madhe. Mendoj se në epokën tonë, në të gjithë perëndimin natyrisht, marzhet e gabimit për sondazhet duhet të ishin së paku 2-fish më shumë se sa më parë. Së dyti duhet kuptuar në Itali që konvertimi nga sistemi elektoral në numrin e vendeve është krejt i ndryshëm nga realiteti i sondazheve. Shumëcka prej kësaj diference të sondazheve dhe numri i vendeve në parlament ose për të qënë më të saktë % e votave dhe % e vendeve në parlament.


Në fakt, doli një fenomen i ri: Beppe Grillo, humoristi që ka marrë vota më shumë se ç’parashikohej, por që refuzoi fushatën e intervistat në TV italiane. A duhet bërë fushatë nëpër televizione?

Preç Zogaj:
Është një fenomen që përfaqëson revoltën, neverinë dhe distancimin e një pjesë të publikut nga politikat e partive tradicionale. Peppe Grillo u rrit si një popullor i antipopulizmit, duke tërhequr në lëvizjen e tij të pesë yjeve, figura shumë popullore në Itali. Por ky fenomen duhet parë në thellësi dhe në kontekstin italian. Është e parakohshme të dalësh në përfundime. Por, nga ana tjetër, mund ta themi që tani se fenomeni “Grillo” përfaqëson dhe një çlirim nga tirania e televizionit dhe fytyrave të pandryshueshme. Në fakt i bën nder atij populli, fqinjë me ne.

Artan Hoxha: Peppe është një bashkim i revoltës ndaj sistemit politik dhe dëshpërimit për mungesë zgjidhjeje që përfundon me një votë anarkiste.
Një votë që vetëm shpreh revoltë, por jo zgjidhje. Shkurt, duket si një aventurë e 25 përqind të popullsisë italiane. Sa për Luigi Bersanin, thjesht mendoj se është format i vjetër.

Ilva Tare:
Përgjigja ime do ishte edhe po edhe jo. Grillo përdori mediat sociale dhe takimet shesh më shesh me italianët duke përshkuar 10 mijë kilomentra me furgonin e tij gjatë fushatës elektorale, ndërsa Berluskoni përdori vetëm mediat dhe intervistat e tij televizive kryesisht tek ekranet rivale dhe gazetarët më kritikë ndaj tij. Duhet pranuar se media si gjithçka tjetër në epokën e teknologjisë ka evoluar dhe impakti i saj është zbehur në disa kanale dhe forcuar në mënyra më interaktive komunikimi. E rëndësishme është që media është ende faktor megjithë transformimet që ajo pëson prej dita ditës.

Mero Baze:Fenomeni Pepe Grillo, është fenomen krizash. Çdo vet e shpreh mospajtimin sipas natyrës së vet. Kombe nervoze si Greqia e shprehin me lëvizje më naziste, dhe më komuniste, shoqëri më të hapura si Italia e shprehin me refuzim dhe tendenca anarkiste. Nuk mendoj se Grillo e ka famën nga televizionet, por është fenomen politik që shoqëron krizat. Ai përfaqëson elektoratin që nuk ka përgjigje për asgjë. Dhe siç shihet ai është elektorati i parë në Itali.

Henri Çili:
Po dhe jo. Po sepse varet nga stadi i demokracisë, jo plotësisht për Italinë, ku në një farë mënyre ose një shtrese të këtyre njerëzve që mesa duket gjithnjë e më e madhe, i është futur një irracionaliteti i cili nuk ka më faktorë të arsyeshëm e të shëndoshë që mund ta ndjekin. Në gjykimin tim, rritja e fenomenit të Peppe – Grillo, është një çmenduri popullore, duhet ta pranojmë që dhe shoqëritë çmenden në një moment të caktuar, është aspak produktive dhe nuk çon gjëkundi për veç një mesazhi që këtë mesazh duhet ta lexojë pjesa e shëndoshë e politikës kudo në të gjithë Europën, në Itali aq më pak, duhet ta lexojë qendra e majtë dhe e djathtë racionale.


Një tjetër fenomen i çuditshëm, është ai i rikthimit të Berluskonit. Ai u largua para dy muajsh me një rezultat 12 përqind. Tani rikthehet me rreth 30 përqind. Çdo të thotë kjo?


Preç Zogaj:
Berluskoni u rrit në krahasim me sondazhet e nisjes, që e tregonin në minimume historike. Por nuk u ngrit dot në kuotat e mëparshme të së djathtës italiane. Gjithsesi, ai përmbysi tërë parashikimet e disfavorshme duke dëshmuar se ka mbetur mjeshtri i vjetër i fushatave elektorale.

Artan Hoxha
: BelusKoni tregoi që nuk duhet nënvlerësuar. E menduam “të vdekur” dhe u rikthye fuqishëm. Me fare pak muaj fushatë, Berluskoni tregoi se afro 30% e italianëve e mbështesin si një model të mirë për ta. Shohim tek Berluskoni, me sa duket kombinimin e duhur, mes shpirtit të aksionit dhe aftësinë për të gjetur zgjidhje.

Ilva Tare: Përgjigjen e saktë e dhanë italianet se çfarë do të thotë për ta, të votojnë Berluskonin, pavarësisht krizës ekonomike, papunësinë e lartë, rritjen e nivelit të borxhit etj. Megjithatë në një analizë të shpejtë mund të thuhet se e majta italiane nuk arriti të garonte në këto zgjedhje e bashkuar dhe e përfaqësuar nga një politikan karizmatik i cili do ta nxirrte përtej kornizave të së shkuarës dhe të siguronte edhe votat e të djathtëve që nuk kanë dashur të votojnë kavalierin, që i jep alergji tregjeve financiare dhe sidomos lidervë të BE-së.
Mero Baze: Berluskoni është një makinë politike. Ai di kur ikën dhe di kur kthehet në politikë. Fushata e tij ishte tmerrësisht populiste, e drejtpërdrejt, fantastike për ata që nuk duan të mendojnë por vetëm të fitojnë, e pakrahasueshme për nga energjia dhe ritmi me të majtën e Bersanit që duket se përfaqëson politikën burokratike të Italisë. Italianët nuk mund të mos kishin një zgjidhje magjike për do gjë dhe sa herë tu duhet kjo pas dere është Berluskoni. Ishte aq magjepsës në premtime konkrete dhe aq i hapur në përballjen me kundërshtarët dhe medien, sa po të isha qenë në Itali me gjithë refuzimet mund të votoja për të.

Henri Çili
: Faktori Berluskoni është nënvlerësuar, individi Berluskoni gjithashtu është nënvlerësuar dhe tallur shumë nga e majta botërore dhe elita e intelektualëve por si një tekë intelektuale dhe neveri intelektuale, por aspak si një gjykim nacionalist. Berluskoni me gjithë moshën e thyer dhe gjithçka që e rrethon atë vazhdon të përfaqësojë dhe pse në dekadencë ëndrrën italiane për sukses brenda kushteve italiane. Jo më kot një personazh i tillë është i pakonceptueshëm për një shoqëri si Gjermania, qoftë në nisje, qoftë në vazhdim dhe për pasojë dhe në rënie, i pakonceptueshëm për Anglinë apo për Suedinë por është shumë i kuptueshëm për Italinë. Ndaj Berluskoni mbetet i tillë për Italinë, dhe ka për të qenë gjithmonë i votueshëm jashtë kontekstit të moshës dhe ngjarjeve të fundit sigurisht që ai do të kishte qenë një qeverisës ende në fuqi në Itali.


Si analizohen këto të dhëna në raport me Shqipërinë? E majta pretendonte shumë nga këto zhvillime...


Preç Zogaj: Zgjedhjet në Itali kanë ndikimin e tyre në Shqipëri, forcat e reja politike, si FRD apo Aleanca Kuq e Zi mund të gjejnë frymëzim në suksesin spektakolar të lëvizjes së Grilos, edhe pse në pikpamje të programeve, analogjitë çalojnë. Nga ana tjetër, fitorja e së majtës në dhomën e ulët është një lajm inkurajues për PS-në dhe opozitën. Por për opozitën shqiptare nga Italia vjen kësaj rradhe mësimi i madh se fushata elektorale duhet të mbahet e karikuar deri në numërimin dhe shpalljen e votës së fundit.

Artan Hoxha:
Urojmë që politika italiane të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme qeverisëse. Pasi vetëm kështu ekonomia italiane mund ta rimarrë veten dhe po kështu dhe ekonomisë shqiptare mund t’i pakësohen efektet negative që i janë shkaktuar nga kriza italiane.

Ilva Tare: Nuk e di sa analizohen dhe nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar të partive politike në Shqipëri për zgjedhjet në Itali. Nuk mendoj se politikanët tanë kanë të drejtën morale të komentojnë zgjedhjet italiane, por shpresoj shumë që ata të analizojnë dhe të kuptojnë zemratën dhe mërinë e qytetarëve, e cila kur numërohet në mënyrë të drejtë dhe të ndershme prodhon rezultate surprizë dhe çon në pension parti dhe politikanë disavjeçarë.

Mero Baze: Nuk ka paralele të mirëfillta, por ngjashmëri ka. E majta jonë i ngjan Bersanit për nga moderacioni dhe qetësia me të cilën kanë marrë fushatën. Kanë po ashtu përballë një lider të pambytshëm lehtë populist dhe ekscentrik si Berisha që brenda ditës bëhet nga i djathtë në të majtë, ka elektorat të paqartë që vritet rreth Aleancës Kuqezi, dhe një pol të moderuar në qendër. E vetmja gjë ku mund ti ngjajmë Italisë pas zgjedhjeve, është që të kemi një shumicë joqeverisëse. Mendoj se do të jetë mësim i mirë për të gjithë.

Henri Çili: Fatmirësisht nuk ka ende paralele, dekadenca e shoqërisë italiane në raport me demokracinë është një fakt, antipolitika ka triumfuar në një masë apo % shumë të madhe, kurse ne jemi në një moshë ende adoleshente me demokracinë. Kemi akoma “ça ti shijojmë” jetës sonë demokratike, kemi akoma punë me racionalitetin politik për të bërë, me vlerësimin e ofertave më të mira elektorale ose më të këqija, dhe ende nuk jemi bërë tekanjoz në atë masë të atillë sa të përfillim sharlatanë politik ose spektakolarë politik ose të paktën unë kështu shpresoj.


(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët