Autoritetet zvicerane kanë identifikuar të 40 viktimat e zjarrit që shpërtheu natën e Vitit të Ri në diskotekën “Le Constellation” në Crans-Montana, një festë që u kthye në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit, gjatë një feste në një lokal të mbushur kryesisht me të rinj. Bilanci përfundimtar është 40 të vdekur dhe mbi 120 të plagosur, shumë prej tyre adoleshentë.

Sipas autoriteteve, viktimat janë të moshës nga 15 deri në 30 vjeç dhe janë shtetas zviceranë, francezë, italianë, belgë, portugezë dhe britanikë. Në total, nga zjarri mbetën të plagosur 121 persona, mes të cilëve 14 shtetas italianë.

Njëmbëdhjetë nga të plagosurit italianë janë transferuar për trajtim të specializuar në spitalin Niguarda në Milano. Sipas autoriteteve shëndetësore, gjashtë prej tyre ndodhen në terapi intensive dhe tre janë në gjendje veçanërisht kritike, me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë që arrijnë deri në 50% të trupit, si dhe dëmtime serioze në mushkëri nga thithja e tymit. Për të gjithë parashikohet një proces i gjatë shërimi.

Qindra qytetarë kanë kryer homazhe në kantonin Valais, ndërsa trupat e pesë prej viktimave italiane janë dërguar në Itali përmes një fluturimi shtetëror të Forcave Ajrore, me mbërritje në Milano. Një viktimë tjetër italiane do të varroset në Lugano.

Ceremonitë mortore për viktimat italiane do të zhvillohen më 7 janar. Riccardo Minghetti do të përcillet për në banesën e fundit në Romë, Giovanni Tamburi në Bolonjë, ndërsa Achille Barosi dhe Chiara Costanzo në Milano. Qeveria italiane ka marrë përsipër shpenzimet e ceremonive mortore.

Për ngjarjen është hapur një hetim penal në Zvicër. Pronarët e lokalit janë nën hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa autoritetet po verifikojnë masat e sigurisë, kapacitetin e lejuar të lokalit dhe menaxhimin e emergjencës.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga mjete piroteknike festive të vendosura mbi shishe shampanje. Shkëndijat kanë rënë në kontakt me tavanin e lokalit, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi.

Ambasadori italian në Zvicër ka deklaruar se tragjedia ishte e shmangshme dhe se mungesa e masave të sigurisë ka pasur pasoja fatale. Sipas tij, nëse tragjedia do të kishte ndodhur në Itali, menaxherët e diskotekës do të ishin arrestuar. Ai theksoi se hetimet duhet të zbardhin përgjegjësitë jo vetëm të menaxherëve të lokalit, por edhe të institucioneve që kanë kryer inspektimet.

Tragjedia e Crans Montanës ka shkaktuar tronditje të thellë në Itali dhe Zvicër. Më 7 janar, në të gjitha shkollat italiane do të mbahet një minutë heshtje në nderim të viktimave, ndërsa në Zvicër po shtohen thirrjet për forcimin e rregullave të sigurisë kundër zjarrit në lokalet e argëtimit dhe qendrat turistike.