PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në shëndetësi mes dy vendeve.
Ministri Rrahmani tha se, që nga periudha e pasluftës e deri më tani, për herë të parë shëndetësia është prioritare në Qeverinë e Kosovës. "Ne jemi optimistë se me një përkushtim tonin institucional, punën e profesionistëve shëndetësorë dhe me mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë ndërkombëtarë, do të arrijmë rezultate të dukshme në sektorin e shëndetësisë, duke bërë të mundshme që qytetarët tanë të gëzojnë shërbime cilësore shëndetësore", theksoi ministri Rrahmani.
Ambasadori Ferrarese e cilësoi shëndetësinë sektorin më të rëndësishëm dhe sfidues nga të gjithë tjerët.
"Mbështetja e qeverisë italiane nuk do të mungojë në asnjë moment të vetëm, dhe do të jemi në dispozicionin tuaj aty ku ju e shihni të nevojshme se mund të kontribuojmë", tha Ambasadori Ferrarese.
Ndër të tjera u diskutua forma e bashkëpunimit në trajnimin e profesionistëve shëndetësorë kosovarë në Itali, dhe forma të tjera bashkëpunimi me qëllim ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe profesionale shëndetësore në Kosovë./b.j//m.m/







