Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella duket se po has më shumë vështirësi sesa pritej, në detyrën për të bindur partitë e dala nga zgjedhjet e marsit, të krijojnë qeverinë e re.
Kreu i shtetit po përballet me përçarjen e partive të koalicionit të djathtë dhe kokëfortësinë e qendrës së majtë për të dalë në opozitë, ngërç politik ky, tepër i vështirë për t’u zgjidhur.
U mbyll pa sukses dita e dytë e konsultimeve të partive politike në Itali me Presidentin e vendit Sergio Mattarella. Asnjë nga palët nuk mundi të krijojë koalicion për formimin e shumicës parlamentare.

Luigi Di Maio, lideri i partisë më të votuar “Lëvizja 5 Yjet”, përmendi dy skenarë të mundshëm, atë të bashkimit me Lega Nord apo me PD e qendrës së majtë. Edhe Matteo Salvini i Lega Nord kërkon qeverisjen e vendit, por me përfshirjen e Lëvizjes 5 Yjet në koalicion.
Presidenti Sergio Mattarella theksoi se nevojitet më shumë kohë dhe bisedime të tjera që pritet të zhvillohen javën e ardhshme.
/Shqiptarja.comKomente
