Italia ka prezantuar sot rezultatet e para të vaksinës së saj antiCOVID ReiThera. Vullnetarët e regjistruar në fazën e parë ishin 100, 45 u vaksinuan me doza të ndryshme dhe në përfundim të fazës së parë u tregua se 92.5% zhvilluan antitrupa.

"Vaksina GRAd-CoV2 jepet në një dozë të vetme dhe nuk ka pasur ndonjë efekt serioz negativ në 28 ditët e para pas vaksinimeve, një rezultat edhe më i mirë se vaksinat e Moderna dhe Pfizer që patën efekte anësore. Kulmi i prodhimit të antitrupave në 4 javë mbetet konstante dhe vaksina është një dozë e vetme ", shpjegoi drejtori shkencor i Spallanzani, Giuseppe Ippolito.

Tanimë priten rezultatet e fazës së dytë dhe të tretë klinike. Presidentja e kompanisë Antonella Folgore, tha se synimi i tyre është të prodhojnë 100 milion doza në vit. Vaksina është e qëndrueshme në një temperaturë midis 2 dhe 8 gradë, shumë më e lehtë për tu ruajtur se ajo e Pfizer.