Italia ka hedhur poshtë çdo mundësi për një 'ftesë' të pazakontë në Kupën e Botës 2026, duke refuzuar idenë e propozuar për zëvendësimin e Irani në këtë turne.
Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, ishte i prerë në qëndrimin e tij: “Një mundësi e dytë për Italinë në Botëror nuk është e përshtatshme, kualifikimi duhet të arrihet në fushë”. Ideja u propozua nga Paolo Zampolli (i dërguari i Trump në Itali), i cili i kishte kërkuar FIFA-s dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të përfshinte Italinë në vend të Iranit.
Reagime të forta nuk munguan nga pala iraniane. Ambasada e Iranit në Romë deklaroi se “futbolli i përket njerëzve, jo politikanëve”, duke kritikuar ashpër përpjekjet për përjashtimin e tyre nga turneu.
Ndërkohë, situata është komplikuar edhe nga zhvillimet brenda skuadrës iraniane, e cila ka përjashtuar sulmuesin Sardar Azmoun pas kritikave të tij ndaj regjimit në Teheran. Pjesëmarrja e Iranit në Botëror është vënë në pikëpyetje për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka qenë i qartë: “Irani duhet të marrë pjesë”.
Nga ana sportive, Italia mbetet jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi, pas eliminimit në “play-off” nga Bosnje Hercegovina. Paraqitja e fundit e “Të kaltërve” në një Kupë Bote daton në vitin 2014.
Debati ka marrë edhe ngjyrime politike, duke sjellë reagime të forta nga zyrtarët italianë. Presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Luciano Buonfiglio, theksoi se një hyrje e tillë do të ishte e papranueshme: “Do të ndihesha i fyer. Në Botëror shkohet me meritë”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, i cili e cilësoi idenë si “të turpshme”.
Lajmi kryesor:
Italia në Botëror? Trump shuan shpresat e të kaltërve: As që e mendoj








