Qeveria italiane ka vënë në lëvizje reformën e Forcave të Armatosura, duke përshpejtuar hapat drejt një riorganizimi të plotë të sistemit të mbrojtjes. Projektligji pritet të paraqitet për shqyrtim në Këshillin e Ministrave brenda muajit mars 2026, për t’i hapur më pas rrugë debatit parlamentar.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka shpjeguar se ndërhyrja synon ta përshtatë ushtrinë me realitetet e reja ndërkombëtare dhe nevojat konkrete të vendit. Për këtë qëllim, ai u ka dërguar edhe një letër komisioneve parlamentare, ku sipas gazetës Corriere, nënvizon urgjencën e reformës dhe nevojën për një proces të shpejtë shqyrtimi.

Një nga pikat kryesore të projektligjit është krijimi i një rezerve vullnetare me rreth 10 mijë trupa. Paralelisht, parashikohet ngritja e një strukture të posaçme që do të merret vetëm me sigurinë kibernetike dhe parandalimin e luftërave hibride, duke bashkuar kompetencat që sot janë të shpërndara në disa sektorë.

Reforma parashikon gjithashtu rritjen graduale të efektivëve të Ushtrisë, Marinës dhe Forcave Ajrore deri në rreth 160 mijë trupa brenda vitit 2033. Sipas ministrit, këto ndryshime janë të domosdoshme për ta bërë sistemin e mbrojtjes më modern, më fleksibël dhe më efikas.

Crosetto thekson se shumë vende mike dhe aleate kanë nisur tashmë reforma të ngjashme, çka kërkon edhe përshtatjen e kuadrit ligjor të brendshëm. Për këtë arsye, është ngritur edhe një Komitet Strategjik që po punon mbi tekstin e projektligjit, me fokus kapacitetet operative, thjeshtimin e procedurave dhe organizimin e personelit.

Nga qëndrimi i ministrit duket qartë ndjenja e urgjencës. Ai flet për një skenar ndërkombëtar që ndryshon me shpejtësi dhe që kërkon vendime të shpejta dhe zgjedhje të qarta, me synimin për të ndërtuar një sistem mbrojtjeje më të qëndrueshëm dhe më të përgatitur për sfidat e reja.