Etleva Veseli nuk ka pasur mundësi të mbledhë fëmijët rreth tavolinës festive. Viti i Ri 2022 e gjen në çadër familjen Veseli në fshatin Fushë-Milot të Bashkisë së Kurbinit.

“Edhe këtë vit e kaluam në këtë shtëpi të djegur dhe në çadër. Shumë vështirë është se kur bie shi, uji hyn brenda”, thotë Veseli.

Mungesa e shtëpisë e cila ju dëmtua nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019 dhe kushtet e vështira ekonomike ua privuan festën.

"Festë... me halle, se kur s'ke ku fut kokën s'ka festë. Ne jemi me halle dhe siklete", shprehet ajo.

E zonja e shtëpisë na tregon se rrit mes vështirësive 5 fëmijë, ndërsa njëra nga vajzat është e sëmurë.

"Vajzën e kam nxjerr para një jave nga spitali se e kisha të shtruar me ftohje dhe infeksion në veshka. Është sëmurë se fle në ftohtë dhe lagështirë", vijon ajo.

Shpresën se do tu ndërtohet një strehës nuk e kanë humbur!

"Për shtëpinë e re, kam shkuar disa në Bashkinë e Kurbinit dhe më kanë thënë ‘Do prisni’!"

"Unë bonusin e qirasë e marr, por nuk iki dot në qytet se kam dhe bagëtinë, me këto jetojmë ne", shprehet ajo.

Bashkia e Kurbinit ishte një ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit 2019-të. Ka përfunduar lagjja e re me pallate në qytetin e Laçit, por procesi i rindërtimit ende nuk ka nisur për shtëpitë private në fshatra.